Në një ndeshje maft interesante dhe dramatike, skuadra e Feronikelit 74 arriti të sigurojë mbijetesën në Superligë, duke e mposhtur Prishtinën e Re, me rezultat 1:0. Heroi i ndeshjes së barazhit, e cila u zhvillua në stadiumin “18 Qershori” në Klinë ishte zëvendësuesi Alban Shillova, i cili realizoi golin vendimtar në minutën e 7-të të kohës shtesë. “Jam shumë i lumtur, pasi u futa në pjesën e dytë dhe e dhashë maksimumin dhe e vendosa fituesin. Gjatë gjithë vitit kemi treguar lojëra të mira, por na ka munguar fati. Megjithatë, sot arritëm që të fitojmë dhe ta ruajmë statusin e skuadrës elitare, për çka jam shumë i lumtur”, ka theksuar pas ndeshjes Shillova. Ai shfrytëzoi një devijim jo të mirë me kokë të mbrojtësit prishtinas, Guri Hana, dhe pa ndonjë telashe e mposhti portierin Bislimi, duke siguruar një fitore jetike për ekipin e tij. Shillova shënoi edhe në minutën e 78-të me një gjuajtje të saktë me kokë, por goli u anulua me ndërhyrjen e VAR-it për pozitë jashtë loje. Gjatë gjithë ndeshjes, të dyja skuadrat treguan angazhim maksimal dhe krijuan disa raste të mira shënimi, por nuk ishin konkrete para portave. Kësisoj, Feronikeli 74 do të vazhdojë të garojë në elitën e futbollit kosovar, derisa Prishtina e Re realizimin e objektivit për t’u bërë pjesë e Superligës mbetet ta kërkojë në edicionin e ri.