Lajme

Ferat Shala largon nga mbledhja këshilltarin e ministres Hajdari, i tha deputetes së LDK-së “edukohu”

By GAZETA SCANNER 1

March 19, 2024

Pas kërkesës së disa deputetëve të opozitës, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, ka larguar nga mbledhja shefin e stafit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Kushtrim Dakaj, raporton Ekonomia Online.

Në këtë komision po raporton ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, lidhur me realizimin e projekteve të ministrisë për vitin 2023 dhe planet e ministrisë për vitin 2024. Gjithashtu në rend dite ishin dhe shqyrtimi i Projektligjit për Inspektoratin qendror të mbikëqyrjes së tregut dhe i Projektligjit për mbrojtjen e konsumatorit.

Dakaj kishte ndërhyrë ndaj deklaratave të deputeti të AAK-së, Pal Lekaj, dhe deputetes së LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, të cilët kritikuan ministren për mossqarimin e duhur të projektligjit.

Largimin e tij e urdhëroi kryetari i këtij Komisionit, Ferat Shala, pasi tha se këshilltari i ministres nuk ka të drejtë të bëjë reagime të tilla ndaj deputetëve.

“Si flet ti pa mikrofon, flas edhe unë. Edukohu edhe ti”, i ishte drejtuar Dakaj deputetes Bunjaku-Rexhepi.

E ministrja Hajdari, tha se largimi i tij është i padrejtë dhe se ajo në këtë mbledhje është bullizuar nga deputetët e opozitës, por që ndaj tyre nuk u morën masa.

“A është e lejuar që unë të bullizohem nga deputetët e juaj. Jam bullizuar nga deputeti Pal Lekaj dhe deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi. Respektojeni legjislacionin në fuqi. Zyrtari që ju e larguat pa të drejtë është shefi i stafit të Ministrisë se Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë – Kushtrim Dakaj. U indinjua aq shumë me fjalët e përdorura ndaj shefes së tij, dhe kur nuk u përdor mikrofoni dhe u përdoren fjalë që ky i dëgjoi më afër”, ka thënë ajo