Shëndeti

FDA miraton barin Vascepa

Administrata Federale e Barnave (FDA) njoftoi të ketë miratuar një bar të prodhuar nga vaji i peshkut, Vascepa. Bari është menduar t’i parandalojë sulmet në zemër, sulmin në tru dhe vdekjen te njerëzit që janë në rrezik të lartë kardiovaskular.

“FDA e pranon se ka nevojë për trajtime shtesë mjekësore të sëmundjeve kardiovaskulare,” tha Dr. John Sharretts, zëvendësdrejtor i Departamentit të Barnave për Metabolizëm dhe Endokrinologji në Qendrën e FDA-së për Vlerësimin dhe Hulumtimin e Barnave, në një njoftim për shtyp.

Ai shtoi se miratimi i barit do t’u japë pacientëve me trigliceride të ngritura dhe faktorë të tjerë të rëndësishëm rreziku, përfshirë sëmundjet e zemrës, goditjet në tru dhe diabetin, një mundësi trajtimi shtesë që mund të ndihmojë në uljen e rrezikut nga ngjarjet kardiovaskulare.

Vascepa, i cili është i vetmi produkt i bërë nga kompania farmaceutike Amarin, mund t’i përshkruhet miliona pacientëve. Qendra për Kontrolli dhe Parandalim të Sëmundjeve në ShBA raporton se afro 95 milion amerikanë kanë kolesterol të lartë. Kolesteroli i lartë është një gjendje në të cilën niveli i rritur i yndyrave, si LDL-C dhe trigliceridet, koncentrohen në gjak duke rritur rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe sulmit në tru.

Sëmundja e zemrës mbetet shkaku numër një i vdekjes në Shtetet e Bashkuara, dhe përafërsisht çdo 40 sekonda një amerikan pëson sulm në zemër, sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës.

Vascepa bazën e ka në vajin e peshkut Omega-3 dhe është i pari i llojit të vet që miratohet nga FDA për tu dhënë me recetë.