Zyrtarët e FBI-së theksuan të dielën se hetimi i tyre për të shtënat e së shtunës në tubimin e ish-presidentit Donald Trump është në fazat e tij paraprake dhe agjentët janë ende duke punuar për të kuptuar se çfarë ndodhi.
Sulmuesi, 20-vjeçari Thomas Matthew Crooks, nuk kishte kontakte të mëparshme me FBI-në dhe nuk kishte qenë më parë në radarin ose bazat e të dhënave të saj. Hetuesit po përpiqen të kuptojnë motivet e Crooks, shkruan CNN.
Zëvendësdrejtori i FBI, Paul Abbate, u tha gazetarëve gjatë një telefonate të dielën se oficerët e zbatimit të ligjit po shqyrtojnë sfondin e Crooks, aktivitetet e tij të përditshme dhe praninë e tij në mediat sociale, megjithëse deri më tani nuk “kanë parë asgjë kërcënuese”.
Abbate tha se ata kishin “disa njohuri të kufizuara në komunikimet e fundit që ai ka bërë, informacione për detajet e mesazheve dhe telefonatave”. Ai informacion deri më tani nuk ka “zbuluar asgjë në lidhje me motivin ose përfshirjen ose njohurinë e dikujt tjetër” në të shtënat, tha Abbate.
Crooks përdori një pushkë të stilit AR 556 të blerë legalisht nga babai i tij, thanë zyrtarët e FBI-së, dhe një nga gjërat që hetuesit ende po kërkojnë të kuptojnë është se si Crooks fitoi akses në armën e zjarrit të babait të tij. Ai gjithashtu kishte pajisje shpërthyese në makinën e tij, tha Abbate, të cilat po hetohen në Quantico.