Fazli Hoxha i Nismës: Nëse arrihet koalicioni LV-LDK s’do të ketë jetëgjatësi

Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, njëherësh edhe kryetar dege i kësaj partie në Gjakovë, Fazli Hoxha, ka thënë se edhe nëse arrihet koalicioni LV-LDK nuk do të ketë jetëgjatësi më shumë se një vjet e gjysmë.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se “a janë këto dy parti që kërkonin zgjedhje sa ishin në opozitë, dhe që kërkonin çkapjen e shtetit, e tash po shtyhen për me i kapë pozitat”.

“Çka po shohim deri më sot nga takimet që kanë pasur Kurti dhe Mustafa, asgjë, përveç hyrjes dhe daljes nga ndërtesa e Kuvendit dhe deklaratat e tyre të famshme ‘U pajtuam që takimet të jenë me të shpeshta’ dhe lojës së tyre ‘Unë po zgjedh i pari, – jo unë po zgjedh i pari’”, ka shkruar Hoxha.

Postimi i plotë i tij:

Kemi hyrë në muajin e tretë që kur janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ende nuk kemi institucione të reja të formuara sipas rezultatit të 6 tetorit.

Vetëvendosje dhe LDK-ja rrihnin gjoks se koalicioni mes tyre do të ndodh menjëherë pas 6 tetorit, veç të marrin besimin e qytetarëve.

Dhe çka po shohim deri më sot nga takimet që kanë pasur Kurti dhe Mustafa, asgjë, përveç hyrjes dhe daljes nga ndërtesa e Kuvendit dhe deklaratat e tyre të famshme “U pajtuam që takimet të jenë me të shpeshta”, dhe lojës së tyre “Unë po zgjedh i pari, – jo unë po zgjedh i pari”.

A janë këto dy parti që kërkonin zgjedhje sa ishin në opozitë, dhe që kërkonin çkapjen e shtetit, e tash po shtyhen për me i kapë pozitat.

Qytetarët presin që vendi sa më shpejt t’i këtë institucionet e formuara, pavarësisht se ky koalicion LVV-LDK nuk do të ketë jetëgjatësi me shumë se një vjet e gjysmë nëse arrihet.