Botë

Falja e Hunter Bidenit shkakton debat të ashpër mes demokratëve dhe republikanëve

By GAZETA SCANNER 1

December 03, 2024

Vendimi i presidentit amerikan Joe Biden për të falur djalin e tij, Hunter Biden, ka shkaktuar debat të madh, duke ngritur akuza për minimin e besimit në sistemin e drejtësisë.

Falja, e dhënë të dielën, ishte një surprizë, sidomos pas deklaratave të mëparshme të presidentit se nuk do të merrte një hap të tillë, duke theksuar besimin e tij në pavarësinë gjyqësore.

Hunter Biden ishte akuzuar për evazion fiskal dhe armëmbajtje të paligjshme, akuza që republikanët i kanë përdorur për vite me radhë për të pretenduar korrupsion të lidhur me ndikimin politik të babait të tij.

Megjithatë, përpjekjet për të lidhur drejtpërdrejt veprimet e Hunter-it me Presidentin Biden nuk kanë prodhuar prova të qarta, njofton Reuters.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, mbrojti faljen, duke deklaruar se ajo synonte të mbronte Hunterin nga përndjekja e vazhdueshme politike.

Ky arsyetim, megjithatë, ka shkaktuar reagime të ashpra nga të dyja palët. Demokratët janë ndarë në qëndrime: disa e kanë kritikuar Bidenin për vendosjen e familjes mbi interesin publik, ndërsa të tjerë kanë mbështetur faljen, duke e parë si të justifikuar për shkak të trajtimit të veçantë që Hunter-i ka marrë nga kundërshtarët politikë.

Ndërkohë, republikanët e kanë akuzuar presidentin për favorizim dhe mungesë të sinqeritetit.

Ky vendim ka shtuar presionin mbi Joe Bidenin, me kritikët që e shohin si një test për besimin e publikut në administratën e tij.