Lajme

Fajon: Palët t’i rikthehen dialogut, e rëndësishme që të bëhet gjithçka në fuqinë tonë për të de-përshkallëzuar tensionet

By GAZETA SCANNER 1

October 24, 2023

Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, duke komentuar takimin e paralajmëruar mes përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel, tha se pret që të mos ketë përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve dhe të dy palët t’i kthehen dialogut.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë sot se në ditët e ardhshme pritet të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel.

“Është gjithmonë e rëndësishme që të bëhet gjithçka në fuqinë tonë për të de-përshkallëzuar tensionet, që të mos ketë përshkallëzime të mëtejshme dhe që të dyja palët të kthehen në tavolinë dhe kjo do të thotë vazhdimi i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha ajo në një konferencë për media në kuadër të forumit të 12-të të strategjisë së BE-së për rajonin e Danubit në Bërdo kod Kranjë.

Shefi i diplomacisë austriake, Alexander Schallenberg, theksoi se është e rëndësishme që Serbia të sjellë para drejtësisë pjesëmarrësit e konfliktit në Banjskë.

“Është diçka që duhet ta bësh. Ta glorifikosh dikë që kreu vrasje si hero është diçka që nuk pritet mirë në Evropë,” u tha ai gazetarëve. /