Botë

Fabrici: Normalizimi i marrëdhënieve Prishtinë-Beograd është thelbësor për rimëkëmbjen rajonale

Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Serbi, Sam Fabrici, tha se normalizimi i marrëdhënieve Prishtinë-Beograd është një nga elementët kyç për rimëkëmbjen e rajonit dhe vazhdimin e rrugës së Serbisë drejt Bashkimit Evropian (BE).

Në promovimin e Ditarit të 10-të për nxënës, botim i delegacionit të BE-së, Fabrici rikujtoi se ishte arritur përparim i madh në negociata gjatë dhjetë viteve të fundit, por që aktualisht nuk ka përparim në dialog.

“Përfaqësuesit e BE do të vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim, dhe shpresojmë që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë normalizimin e plotë të marrëdhënieve. BE do të vazhdojë ta mbështesë këtë,” tha Fabrici.

I pyetur nga nxënës të shkollave të mesme nga Serbia për fatin e Rezolutës 1244 në rrugën e Serbisë drejt integrimit evropian, Fabrici tha se BE nuk po adresonte çështjen e statusit.

I pyetur për të komentuar deklaratën e kryeministres Ana Brnabiç, e cila tha se ‘qeshi me raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian për Serbinë’, Fabrici tha se ai raport ishte një vlerësim objektiv i asaj se sa Serbia ka përparuar drejt BE-së.

“Ka pasur lëvizje në fushën e ekonomisë dhe në fushën e sundimit të ligjit, është dërguar një mesazh nga Komisioni Evropian se reformat janë ende në rrugë e sipër dhe një inkurajim për të bërë më shumë si në cilësi ashtu edhe në shpejtësi. Kështu që shpejtësia nuk vihet përpara cilësisë. Gota gjithmonë mund të shihet si gjysmë të plotë apo gjysmë të zbrazët … Është e rëndësishme që në fund të biem dakord për hapat e ardhshëm dhe që gota në fund të jetë e plotë dhe që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, tha Fabrici.