Botë

Erdogani për Netanyahun: Do të hyjë në histori si “kasapi i Gazës”

By GAZETA SCANNER 1

November 29, 2023

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan akuzoi të mërkurën kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu për kryerjen e siç tha: “një prej mizorive më të këqija” të shekullit dhe tha se sipas Erdoanit, ai do të hynte në histori si “kasapi i Gazës”.

Erdoan, një kritik i hapur i veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza, përsëriti se qeveria e tij do të sigurojë që Izraeli të mbahet përgjegjës për veprimet e tij përpara gjykatave ndërkombëtare.

“Kjo njollë e zezë është e ngulur jo vetëm në ballin e Netanyahut, por edhe në ballin e të gjithë atyre që e mbështesin pa kushte. Kjo njollë turpi nuk do të pastrohet kurrë. Nuk do t’i harrojmë kurrë krimet kundër njerëzimit në Gaza, as mosveprimin e vendeve perëndimore. Do të provojmë të gjitha mënyrat për ta bërë administratën izraelite të japë llogari përpara ligjit ndërkombëtar, ka thënë Erdogan.

Në fjalimin e tij para ligjvënësve në Ankara, Erdoan pohoi gjithashtu se veprimet e Izraelit po nxisnin antisemitizmin.

“Me vrasjet që kreu në Gaza, Netanyahu po ndez antisemitizmin dhe po rrezikon sigurinë e popullit të Izraelit dhe të gjithë popullit hebre”, tha Erdogan. Presidenti turk tha se janë të kënaqur që një pjesë e materialeve të nevojshme për Gazën i janë dërguar rajonit, por vuri në dukje se sasia e ndihmës së lejuar për të hyrë është larg plotësimit të nevojave minimale të banorëve të Gazës.