Botë

Erdogan sinjalizon se Turqia s’është gati të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO

By GAZETA SCANNER 1

July 04, 2023

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, sinjalizoi se vendi i tij nuk është gati ta ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke thënë se Stokholmi duhet të punojë më shumë në “detyrat e shtëpisë” që ka.

Duke folur pas një takimi të kabinetit qeverisës, Erdogan përsëriti edhe kritikat e tij ndaj djegies së një kopjeje të librit të shenjtë të myslimanëve, Kuranit, në Suedi javën e kaluar, duke e përshkruar veprimin si një krim urrejtjeje kundër myslimanëve.

“Ne e kemi bërë të qartë se lufta kundër organizatave terroriste dhe islamofobisë janë vijat tona të kuqe”, tha Erdogan. “Të gjithë duhet ta pranojnë se miqësia e Turqisë nuk mund të fitohet duke mbështetur terrorizmin ose duke u lënë hapësirë terroristëve”.

Turqia ka shtyrë dhënien e miratimit përfundimtar për anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake, duke e akuzuar vendin se është shumë i butë ndaj demonstratave anti-islamike dhe grupeve që Ankaraja i konsideron si kërcënime të sigurisë. Këto përfshijnë grupe militante kurde që kanë zhvilluar një kryengritje vdekjeprurëse në Turqi që disa dekada.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, ka zhvilluar një kryengritje 38-vjeçare kundër Turqisë, që ka lënë dhjetëra mijëra të vdekur. Ajo është cilësuar si organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

NATO-ja dëshiron ta sjellë Suedinë në gjirin e saj kur liderët e NATO-s të takohen në Lituani më 11 dhe 12 korrik, por Erdogan tha se Stokholmi ka ende disa detyrime për t’i përmbushur.

Për t’u anëtarësuar një vend në NATO duhet të miratohet kërkesa unanimisht nga të gjitha anëtaret ekzistuese të aleancës. Turqia dhe Hungaria janë të vetmet vende që nuk e kanë ratifikuar ende kërkesën e Suedisë.

“Në vend që të humbim kohë me taktika shpërqendruese, ne besojmë se mbajtja e premtimeve do të jetë një metodë më racionale dhe më e dobishme”, tha Erdogan. “Ne i këshillojmë ata që ta analizojnë veten dhe t’i bëjnë më mirë detyrat e shtëpisë”.

Ai i referohej një memorandumi që Suedia dhe Finlanda nënshkruan me Turqinë vitin e kaluar, sipas të cilit dy vendet ranë dakord të trajtonin shqetësimet e Ankarasë. Lufta kundër islamofobisë nuk ishte e përfshirë në memorandum.

Javën e kaluar, policia suedeze lejoi një protestë jashtë një xhamie në qendër të Stokholmit duke u thirrur në lirinë e fjalës, pasi një gjykatë kishte anuluar një ndalim për një djegie të ngjashme të Kuranit më parë.

“Sulmi i poshtër ndaj librit tonë të shenjtë, Kuranit të Shenjtë, në Stokholm, kryeqytetin e Suedisë, na zemëroi të gjithëve”, tha Erdogan. “Kjo shpërfillje e çoroditur për ndjenjat e 2 miliardë myslimanëve nuk mund të jetë në përputhje me vlerat më themelore njerëzore, e lëre më lirinë e mendimit”.

Suedia dhe Finlanda braktisën pozicionet e tyre tradicionale të mospërfshirjes ushtarak për të kërkuar mbrojtje nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, nga frika se mund të shënjestroheshin nga Moska pasi Rusia pushtoi Ukrainën vitin e kaluar. Finlanda iu bashkua aleancës në fillim të këtij viti pasi parlamenti i Turqisë e ratifikoi ofertën e vendit nordik.

Suedia ndryshoi legjislacionin e saj kundër terrorizmit pas aplikimit për anëtarësim në NATO, por Turqia argumenton se mbështetësit e grupeve militante mund të organizojnë lirshëm demonstrata, të rekrutojnë dhe të prokurojnë burime financiare në Suedi.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, javën e kaluar thirri një takim të zyrtarëve të lartë nga Turqia, Suedia dhe Finlanda për 6 korrik, në përpjekje për t’i kapërcyer kundërshtimet turke ndaj anëtarësimit të Suedisë në aleancën ushtarake./REL