Të veshur me uniformën e punës, në emisionin “Frontal” të Televizionit 7, në ditën e 1 Majit, dy punëtorë të kompanisë “Pastrimi”, Ilaz Rexhepi dhe Kamil Koprani kanë dhënë rrëfimin e tyre se si është të punosh në këtë kompani, si trajtohen ata dhe si i përjetojnë ofendimet që i marrin gjatë kryerjes së detyrës së tyre.
Koprani tregon se ai punon në ndërrimin e tretë dhe se ka vështirësi gjatë kryerjes së punës, duke nisur nga mungesa e ndriçimit, që u shkakton pasiguri.
“Nuk kemi ndriçim, është shumë e vështirë, edhe në ndërrimin e natës kemi lëndime të punëtorë”, thotë ai.
“Unë jam lënduar tri herë gjatë punës”, ka thënë njëri nga punëtorët e “Pastrimit”.
Tutje ai thotë se ka vështirësi në punën e tij, që i shkaktohet edhe brenda kompanisë, por edhe nga qytetarët.
Kolegu i tij, Ilaz Rexhepi tregon se ka pasur shumë raste kur nuk është trajtuar dinjitetshëm gjatë kryerjes së detyrës, nga qytetarët. Ai ka rrëfyer se si i është drejtuar një mësuese në prani të nxënësve para shkollës.