LajmeOp/Edst-slider

Elizabeth Gowing, anglezja e shqiptarizuar që ndryshoi jetën e komuniteteve pakicë në Kosovë

Elizabeth Gowing është shkrimtare dhe mësuese nga Anglia, porse me të mund të flisni e shkruani pa pikë problemi në gjuhën shqipe, duke qenë se të jetuarit dhe vepruarit prej 14 vitesh në Kosovë, e ka shndërruar atë tashmë zyrtarisht edhe në një shtetase të denjë të Kosovës.

Elizabeth është udhëheqëse e OJQ-së, “The Ideas Partnership” dhe pronare e biznesit social, “Sa-Pune”, fokusi i të cilave është mbështetja dhe integrimi i komuniteteve pakicë në Kosovë, përmes fuqizimit ekonomik.

Për Gazetën Scanner, ajo tregoi fillet e saj të aktivitetit në Kosovë, aktivitetet e realizuara, sfidat, sukseset dhe plane për të ardhmen me TIP dhe Sa-Pune.

Scanner: Për ata që nuk e njohin, kush është Elizabeth Gowing?


Elizabeth Gowing: Jam mësuese nga Anglia, edhe pse tash për 14 vite kam jetue në Kosovë, dhe para dy viteve kam marrë nënshtetësine e Kosovës me dekret prezidencial. Jam bashkëthemeluesja e OJQ-së, The Ideas Partnership dhe jam shkrimtare (autore e 5 librave, 4 prej tyre që janë për udhëtimet e mia në Kosovë), si dhe përkthyese prej gjuhës shqipe në anglisht.

Scanner: Qe sa vite je në Kosovë dhe si erdhe me idenë e të jetuarit e vepruarit në Kosovë?


Elizabeth Gowing: Kemi ardhë në Kosovë unë me burrin, Robert Wilton, kur ai është punësuar si këshilltar i kryeministrit të asaj kohe, Agim Ceku. Puna është dashtë me zgjatë 6 muaj, por mbasi jemi rahatue këtu kemi vazhdue me jetue këtu edhe mbas përfundimit të kontratës së Robertit me qeverinë kosovare.

Scanner: Sa isht e vështirë ta mësonit gjuhën shqipe dhe të përshtateshit me mentalitetin e kulturën shqiptare?


Elizabeth Gowing:
Patjetër ka vështirësi në gjuhën shqipe, sidomos për një angleze, se fjalori është gati krejt i ndryshëm nga fjalori anglez, por gjithashtu gramatika dhe format, siç janë habitorja ose dëshirorja, që nuk ekzistojnë në gjuhën angleze (faktikisht nuk ekzistojnë në shumë gjuhë të tjera). Mirëpo, çka më ka ndihmuar me përvetësue gjuhën, përveç një mësuesi shumë të shkathët, Gazi Bërlajolli, është ndihma dhe inkurajimi prej të gjithë shqiptarëve me të cilët kam folë.

Mentaliteti është dika i ndryshëm dhe shumë ma i vështirë me mësue se sa gjuha. Ende gaboj dhe ka raste kur nuk parashikoj mirë si do të reagojnë njerëzit kur ka një dallim prej kulturës britanike, por gjithashtu ka tradita që kam përvetësue, dhe shpesh nuk vërehet derisa jam në kontakt me anglezë që befasohen që diçka ka ndryshue tek une. Tash i heq këpucët para se të hy në shpi (gjë që më është dukë shumë pengesë kur kam ardhë në Kosovë), edhe në shpinë time edhe në të të tjereve, dhe po ashtu ha në sofër sepse e gjej ma të rahatshme, dhe baj takime me shoqëri më shumë ma pak paralajmërim se sa shoqëria ime në Londër (që caktojnë takime dy-tri javë para kohës).Elizabeth Gowing

Scanner: Përmes TIP, fokusi juaj më i madh mbetet te familjet, e sidomos te fëmijët e komuniteteve pakicë. Cilat janë disa nga aktivitetet që me organizatën i keni bërë për familjet e komuniteteve pakicë në Kosovë?


Elizabeth Gowing: The Ideas Partnership punon në 4 komuna – Fushë Kosovë, Graçanicë, Obiliç dhe Lipjan. Kemi programe për gratë shtatzane dhe ofrojmë ndihmë për shëndetin e tyre, si dhe të foshnjeve, pra synojmë të jemi pranë fmijëve prej momenteve të para, për një fillim të mbarë të jetës Kemi dy çerdhe për fëmijë me moshë 3-5 vjeç, dhe kemi aktivitete për fëmijët me i mbështetë për me shkue në shkollë (ndihmë me regjistrim, me çanta dhe mjete të tjera shkollore, me veshmbathje), si dhe aktivitete me ndihmue me mësim. Gjithashtu, ofrojmë fizioterapi për fëmijët me nevoja të veçanta. Kemi disa iniciativa kundër martesave të hershme dhe kështu m’i mbrojtë shëndetin, arsimimin dhe të drejtat e fëmijëve, dhe sidomos vajzave. Punojmë edhe për fëmijët e riatdhesuar për me u sigurue që jane kyç në shkollë. Gjithashtu, ofrojme mësim në shkrimlexim për gratë analfabete.


Po ashtu, ofrojmë mbështetje në formë të ushqimit ose nevojave të tjera bazike për 10 fëmijë që i kemi identifikue si veçanerisht të rrezikuar, p.sh. për shkak që nuk kanë prindër ose që janë në familje me sfida shtesë – p.sh. motra e djaloshit që ishte vra në Fushë Kosovë vitin e kaluar. Kjo bahet përmes donatorëve individë në Kosovë, si dhe në Angli.
Jam gjithashtu pronarja e biznesit social, Sa-Pune, ku punësohen gratë për prodhimin e produkteve punedore, siç janë kartolina, çanta me lavandë, tote bags dhe shënuese për libra, me kusht që femijet e tyre të vijojnë shkollën.

Scanner: Aktiviteti i fundit bamirës ishte ai i mbledhjes së cantave për fëmijët që do të nisin vitin shkollor këtë vit? Sa keni gjetur mbështetje te qytetarët dhe kohë ju është dashur ta arrini targetin?


Elizabeth Gowing: Kjo iniciativë ishte diçka shumë frymëzuese për neve, një dëshmi e fortë për sa ka solidaritet në shoqërinë kosovare dhe ma gjerë. Kemi kërkue 300 çanta, mjaft për fëmijët e klasave 1-5, që mbështesim në Fushë Kosovë dhe në Janjevë. Kemi pase pak ma shume se sa një javë m’i mbledhe, dhe me thane të drejtën, nuk mendova që do të mbërrij një gjë të tillë në një kohë të shkurtër. Mirëpo, faktikisht numri i çantave të dhuruara ka tejkalue cakun tonë, pra shpresojmë që mundemi m’i ofrue edhe do nxënësve të klases së 6-të. Gjithsej kemi grumbullue 358 çanta prej 76 personave në total.

Kisha veçuar ndihmën që kemi pase prej grupit Network Prishtina në Facebook, ku vullnetari jonë, Agon Rexhepi ka grumbullue edhe para edhe do çanta të dhuruara, por gjithashtu iniciativa nga Hysni Hasani dhe Dashnim Bajrami prej komuniteve në Fushë Kosovë, që kanë dalë live në Facebook për një mbrëmje të tërë dhe kanë grumbullue ma shumë se 60 çanta nga diaspora dhe dashamirës të tjerë. Stafi i Pyllit të Arinjve na kanë ndihmue me një donacion shumë zemërgjerë dhe organizata Islamic Relief gjithashtu na ka dhurue do çanta që kanë kontribuuar në total. Qytetarë individë kane ardhë në zyrën tonë me nga një ose ma shumë çanta dhe gjithashtu individë nga Amerika, Anglia, Shqipëria na kanë transferue para. Është një kënaqësi e madhe me kuptue domethënien e aasaj thënies afrikane ‘It takes a village to raise a child’ – d.m.th: kërkon tërë fshatin për me rritë një fëmijë. Dhe kur fillojnë fëmijët shkollën këtë javë, ata nisen rrugës për arsim t’u e ditë që kanë 76 persona si mbështetje për suksesin e tyre.

Scanner: Ku e gjeni vullnetin për të punuar kaq fort me këtë kategori të shoqërisë dhe cilat janë disa nga të arriturat më të mëdha që ju i konsideroni si të tilla, për ndikimin që kanë pasur?


Elizabeth Gowing: Kur ki njerëz të mirë përreth, atëherë motivohesh ma shumë, pra unë jam shtye përpara prej vullnetarëve të tjerë të organizatës sonë, njerëz prej komuniteteve ku punojmë, prej komunitetit shumicë në Kosovë, por edhe nga jashte, si dhe prej angazhimit të stafit të palodhshëm të The Ideas Partnership. Kur e sheh që ka vullnet prej donatorëve ose prej individëve të tjerë, atëherë frymëzohesh për me vazhdue. Gjithashtu, kam parë ndikimin që kemi pasë deri tash, pra e di që ia vlen me provue ma tutje.

The Ideas Partnership ka qenë aktive në Fushë Kosovë, për shembull, për 10 vite, dhe tash shihen rezultatet e punës shumë qartë. Për shembull: kemi një fëmijë që vijon në çerdhen tonë, që është djali i një nxënësi që ka ardhë te na kur kemi fillue punë para një dekade. Atëherë babi ka pase 13 vjeç, dhe nuk ishte në shkollë, por i kemi regjistrue. Tash është 23 vjeç, dhe grumbullon hekur për me sigurue kafshatën e bukës për familje. Më inspiron shumë fakti që ai e ka kuptue që edhe pse vetë nuk është arsimuar si duhet, djalit të tij do t’i ofrohet mundësia për një të ardhme ma të mirë.

Gjithashtu, kisha cekë rastet e bursistëve tanë, njerëz prej komunitetit që kemi ndihmue me vijue shkollë të mesme ose fakultet me një bursë mujore, me kusht që mundësitë që kanë marrë ata duhet t’i ‘shpaguajnë’ me punë vullnetare në komunitetin e tyre. Tash kemi dy infermierë të diplomuar, Bashkim Krasniqi, që është zëvendësministër, një asamblist, dhe Vlora Gashi, që tash fillon vitin e tretë në UP për me u ba mësuese. Këto njerëz janë shembuj për të gjitha komunitetet, si dhe për të gjithë neve.

Një shembull tjetër është Arlindë Murtezi, që është grua e ve me pesë fëmijë. Ajo vetë nuk ka qenë në shkollë, por ka ardhë te na me mësue shkrim-lexim dhe mandej ka hapë biznesin e vet për punë dore (@pundore049 në Instagram).

Scanner: Pse mendoni se këta qytetarë janë në këtë gjendje? A mendoni se Kosova është shoqëri diskriminuese, apo ndoshta shteti nuk ka bërë mjaftueshëm për integrimin e tyre?


Elizabeth Gowing: Si mësuese me profesion, mendoj që gjithçka del nga arsimimi dhe po shoh që familjet me të cilat punojmë kanë pase probleme të shumta për kyçje në arsim. Gjate viteve të ’90-ta, ashkalinjtë, si shqipfolësit, kanë pase të njëjtat probleme si shqiptarët e Kosovës, sa i përket arsimimit në shkollë, por nuk kanë pasë qasje në arsim nëpër shtëpitë private që i ka shpëtue shumë prej nxënësve shqiptarë në atë kohë.

Tash ky brez jane ba prindër analfabetë. Por, edhe kur kuptojnë rëndësinë e arsimimit hasin prrobleme në shkollë për kyçjen e fëmijëve, ndonjëherë një qasje diskriminuese nga administrata e shkollës, ndonjëherë prindërit e fëmijëve të tjerë në klasën e tyre, që nuk i lejojne me i nda bankat me femijët shqiptarë (dhe mandej mësuesit që nuk guxojnë, ose që përtojnë me luftue për të drejtat e fëmijëve). Ka mësues shumë aktivë, që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, por gjithashtu ka mësues që nuk u interesojnë nevojat e fëmijëve, qofshin prej komuniteteve, qofshin me vështirësi në të nxënë, qofshin me talente të shquara, dhe duket që konsiderojnë qe puna e tyre është me prezantue faqen 23 të librit, dhe të nesërmen faqen 24, pa marrë parasysh nëse fëmijët kanë kuptue faqen 22, pra i duket që është problemi i fëmijëve dhe jo i mësuesit.

Nervozohem shumë me rastet që kemi pa shpesh, kur një fëmijë ka vijue shkollën në mënyrë të rregullt, dhe që ka shënim ‘i shkëlqyeshëm’ për sjellje, por në fund të vitit është lajmërue që ngel për një vit, dhe nëse ngelet ashtu për dy vjet, atëherë nuk lejtohet as me vazhdue në shkollë fare. Për mua si mesuese, më kish’ ardhë marre me thane kështu sepse nëse një fëmijë vjen dhe sillet mirë në klasën time për një vit, atëherë dështimi i tij në fund të vitit është dështimi im si mësuese. Për do mësues këtu, po shoh që ata e konsiderojne si dështim të nxënësit, pra kërkon krejt një qasje tjetër ndaj procesit mësimor, jo vetëm për fëmijët e komunitetit, por për të gjithë fëmijët.

Kuptohet kur ke nivel të arsimit të ulët, atëherë ke mundësi shumë të dobët për punësim, ka shumë mundësi për shfrytëzimin tënd politikisht, me trafikim njerëzor, dhe nuk ke qasje në informatë që të mundëson me ba zgjedhje të duhura për shumë gjëra, tue perfshire ne fushën e shëndetit, për çka anëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian kanë jetëgjatësi 7 vite ma pak se sa mesatarja e popullatës në Kosovë.

Scanner: Cila është këshilla/porosia juaj për të gjithë në raport me grupet minoritare në Kosovë?

Elizabeth Gowing: Është e njëjta porosi që kam për qasjen me të gjithë qytetarët të Kosovës. D.m.th: kujdes sepse dështimi i një qytetari (pa marrë parasysh etnicitetin e tij) është një dështim për të gjithë ne. Nëse ka një person, një familje, një grup që nuk kanë qasje në arsim, atehere bahet barre për të gjithë ma vone. Atëherë, është në interesin e të gjithë neve, jo vetëm për arsyet humanitare, por edhe nga vetë interesi si tatimpagues, që të gjithë të kenë qasje në arsimim dhe në shërbime shëndetësore cilësore. Ka shumë mënyra që mundemi të gjithë me kontribue në Kosovë, kështu si vullnetarë, si donatorë, si prindër që rrisim brezin e ri në frymën e solidaritetit, ose thjesht si qytetarë që tregojnë respekt ndaj bashkëqytetarëve të vet.

Elizabeth Gowing synon që aktivitetin e vet në Kosovë ta vazhdojë edhe gjatë viteve në vijim, derisa të arrijë synimet e saj që qytetarët nga minoritetet të integrohen plotësisht në shoqërin kosovare./Intervistoi Fatbardhë Kiçina/