Sport

El Clasico nën kërcënimin e “Democratic Tsunami”

E gjitha bota, këtë të mërkurë do të kthejë sytë nga Spanja, aty ku Barcelona dhe Real Madrid janë gati për të luajtur El Clasicon e parë të këtij sezoni.

Do të jetë një duel i ashpër, ashtu siç ka qenë gjithmonë sfida mes këtyre dy klubeve. Këtë here, tensionet pritet të jenë më të larta, për shkak edhe të përplasjeve politike, me rajonin e Katalunjës që kërkon pavarësinë.

Ishte pikërisht ky debat i ashpër që detyroi autoritet të shtynin datën e zhvillimit të kësaj sfide, e cila ishte parashikuar të luhej me 26 tetor. Gjithsesi, frika ende nuk ka kaluar. Autoritet spanjolle i kanë urdhëruar skuadrat që udhëtimi i tyre me autobus drejt stadiumit “Camp Nou” të bëhet në të njëjtën kohë për shkaqe sigurie, pasi 25 mijë separatist, sipas të dhënave të policisë, kanë programuar protesta pranë impiantit. Gjithashtu, në kuadër të masave paraprake, klubet do të akomodohen në të njëjtin hotel.

Do të jetë një El Clasico ndryshe ky i këtij viti, sikurse vetë Zidane e theksoi në konferencën e tij për shtyp. Në mënyrë që askush të mos ndihet i kërcënuar, do të jenë 3 mijë forca policia në terren për të shmangur çdo lloj tensioni apo përplasjeje.

“Democratic Tsunami”, lëvizja e njohur për pavarësinë e Katalunjës, është organizata që ka alarmuar autoritet lokale, pasi ka paralajmëruar se këtë të mërkurë do të jenë sërish në protestë.

Mediet spanjolle raportojnë se hoteli ku do të qëndrojë klubi madrilen është vetëm 600 metra larg impiantit “Camp Nou”, teksa masat e shtuara kanë ardhur si pasojë e mesazheve kërcënuese në drejtim të “Los Blancos”, transmeton SS. Do të jetë një El Clasio me tension, brenda dhe jashtë fushës.