Teknologji

E prodhuar në vitin 1990 dhe me vetëm 17 kilometra të kaluara – shitet Honda CR-X në gjendje teknike sikur të kishte dalë nga fabrika

Veturat e vjetra që janë në gjendje të mirë teknike gjithmonë tërheqin vëmendje, e kështu ka ndodhur me një Honda CR-X.

Kjo veturë e prodhuar në vitin 1990 është ofruar në shitje në Portugali, me vetëm 17 kilometra të kaluara gjatë 30 viteve “jetë”, transmeton Telegrafi.

Është një e dhënë mbresëlënëse, pasi edhe disa njësi të ekspozuara nëpër muze kanë më shumë kilometra të kaluara sesa kjo.

Fjala është për modelin CR-X, 6i-16 që u nxor nga auto-salloni i Hondës – duke e dërguar në një garazh privat ku i kaloi 20 vite pa lëvizur fare – e gjatë kësaj periudhe as rrotat nuk i kishin prekur tokës, për faktin se ishte mbajtur pezull në një pirunar.

Në brendësi akoma gjenden mbulesat e letrës në dysheme – si dhe logot nëpër rrota që dëshmonin se janë të paprekura.

Vetura është në gjendje të përkryer sikur të kishte dalë sot nga shiriti prodhues i fabrikës – megjithatë çmimi nuk është bërë i ditur.