Daniel Serwer, ekspert për çështjet e Ballkanit, ka komentuar largimin e Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Departamentit të Shtetit Escobar dhe Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak, të cilët u ngarkuan nga Perëndimi si emisar special për Ballkani Perëndimor në tri vitet e fundit.
Serwer thekson se qasja e Escobar dhe Lajçak filloi me prioritete të gabuara dhe përfundoi me moderim të pritshmërive për sukses.
Fillimisht duke i premtuar Beogradit një fokus në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës, ata, vlerëson Serwer, nuk arritën të bënin hapa para.
Pjesë nga shkrimi i Serwer:
Escobar dhe Lajçak nisën keq dhe përfunduan më keq. Ata i premtuan Beogradit se do të kenë prioritet krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës. Ata përfunduan pa përparim të rëndësishëm në atë prioritet të gabuar.
Prishtina ishte zotuar ndaj Asociacionit në një marrëveshje të Brukselit të vitit 2013. Por Escobar dhe Lajçak neglizhuan që Beogradi të ketë ‘quid pro quo’ (reciprocitet). Asociacioni, sipas marrëveshjes së Brukselit, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe sistemin e drejtësisë në të gjithë territorin e saj. Marrëveshja inkurajon serbët të marrin pjesë në institucionet qeverisëse të Prishtinës dhe zotohet se Kosova dhe Serbia do të avancojnë drejt BE-së pa i ndërhyrë ndaj njëra-tjetrës.
Beogradi ka refuzuar të gjitha këto angazhime. Ajo ka mbajtur de facto qeverisjen mbi popullatën serbe në komunitetet me shumicë serbe në veri të Kosovës. Organizoi bojkotimin e zgjedhjeve komunale atje. Beogradi gjithashtu tërhoqi zyrtarët serbë nga policia dhe gjykatat. Dhe Serbia ka bërë gjithçka që është e mundur për të penguar hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës.