Janë mbledhur 130 mijë euro të nevojshme për trajtimin mjekësor në Turqi, të 18-vjeçarit, Gëzim Balaj nga Dedaj i Hasit.
Gazeta e Prizrenit, ka raportuar se aktivistët e angazhuar për sigurimin e mjeteve materiale, kanë njoftuar se brenda pesë ditësh kanë arritur të mbledhin shumën prej 130 mijë eurove të kërkuara për trajtimin e Balajt nga një spital në Turqi, duke shtuar se e gjithë kjo është arritur falë zemërgjerësisë së banorëve të zonës.
Në njoftimin e aktivistëve, raportohet se në vazhdim do të jepen detaje për gjithë mbarëvajtjen e procesit.
Ndërsa janë publikuar edhe emrat dhe shumat që janë dhuruar nga banorët, duke vlerësuar humanitetin e shpejtësinë e treguar nga ta për shumë raste të ngjashme, gazeta shkruan se mund të cilësohet si “fenomeni hasjan”.
Gëzim Balaj nga fshati Dedaj i Prizrenit, është diagnostikuar me sëmundjen “Anemi aplastike” që kërkon transplantin e palcës kockore.