Video/Foto

E frikshme/ Gruaja shkon në supermarket, i del pitoni 3 metra i gjatë te rafti i erëzave

Një vajtje në supermarket për të blerë gjërat e domosdoshme u shndërrua në një operacion shpëtimi nga gjarpri për një grua 25-vjeçare nga Sidnei, Australi.

Sipas BBC, Helaina Alati ishte në një dyqan të zinxhirit Woolworth në periferinë veriperëndimore të qytetit, të hënën e kaluar, kur papritmas pa një gjarpër të madh që dilte nga rafti erëzave.

Sipas agjencisë britanike, ky supermarket ndodhet në buzë të një zone të madhe me bimësi mjaft të dendur, por gjëja e fundit që vajza e re priste ishte të shihte një piton tre metra të gjatë duke e parë atë përmes shisheve të erëzave.

Për fat të mirë për pitonin, Alati është një shpëtimtare e kafshëve të egra dhe jashtëzakonisht e njohur me gjarpërinjtë.

“Kur ktheva kokën ishte rreth 20 cm larg nga fytyra ime dhe ai po më shikonte”, tha vajza. Me gjithë hutimin që pësoi në fillim, ajo ruajti qetësinë dhe pyeste veten për zvarranikun.

Pothuajse menjëherë ajo kuptoi se nuk ishte helmues dhe se ajo me të vërtetë kishte nevojë për ndihmën e saj, pasi ishte bllokuar në dyqan. Pasi regjistroi videon e pitonit, ajo lajmëroi stafin e supermarketit dhe u ofroi ndihmë për të nxjerrë gjarprin.

Vajza e re shkoi në shtëpinë e saj për të marrë një çantë speciale për mbajtjen e gjarpërinjve dhe më pas u kthye në dyqan. Pastaj ajo preku butësisht pitonin në bisht dhe ai hyri në thes.

Menjëherë pas kësaj, shpëtuesi i gjarprit e la të lirë në një zonë larg shtëpive, në mjedisin e tij natyror.