Lajme

E bija e Afrim Bunjakut flet mes lotësh: Ishte krenaria ime, ende s’e besoj që ka ikur!

By GAZETA SCANNER 1

October 05, 2023

Afrim Bunjaku mbeti i vrarë  gjatë përleshjeve me një grup kriminal prej 30 terroristësh serbë në veri të Kosovës, në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Arbenita, vajza e policit të vrarë, thotë me lot në sy se lajmin për humbjen e të atit e mësoi nga tezja e saj.

Babain e cilësonte si krenarinë e saj dhe ende nuk është mësuar me faktin që ai nuk është më.

“Unë faktikisht kam qenë duke punuar siç do ditë. Babai im i ndjerë ka shkuar në orën 5.00 pasdite në punë dhe deri në orën 5 të mëngjesit.

Në momentin e parë tezja veç më tha babai është sëmurë, e kanë plagosur. I thashë nuk është e vërtetë. I thashë babai im është mirë. Dhe tezja ime po qante.

Dhe unë e kuptova që diçka nuk shkonte dhe për momentin kam bërtit. Kam menduar se jam në ëndërr. Fatkeqësisht babai yt ka ndërruar jetë”, rrëfen ajo.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kishte një karrierë të gjatë prej më shumë se dy dekadash në shërbim të rendit dhe sigurisë.

Pasditen e datës 23 shtator, ai u nis në krye të detyrës, pa e ditur se ky do të ishte udhëtimi i tij i fundit, në rrobën e zyrtarit të policisë së Republikës së Kosovës.

“Babai im ka punuar 22 vite në polici në Republikën e Kosovës.  Ka qenë i përkushtuar. Nuk ka thënë kurrë po përtoj sot të shkoj në detyrë. Më duket ende si një ëndërr dhe shpeshherë zgjohem nga ëndrra dhe them o Zot se smundem me e pranue këtë gjë, që duhet të bëhem e fortë e babai e dha jetën për liri”, rrëfen e bija për emisionin “Në Shënjestër”.

Në familjen Bunjaku kjo është humbja e dytë më e madhe në këto 10 vite. Më herët kjo familje kishte humbur në një aksident një nga fëmijët e saj, por kurrë nuk do ta besonin se pas përfundimit të luftës, dëshmori i radhës i një agresioni të frymëzuar nga shovinizmi serb, do të ishte kryefamiljari dhe babai i tyre.

“Të flasësh për babain tim është shumë pak. Nuk mundesh ta përshkruash me pak fjalë.  Unë kam qenë krenare me babain tim. Gjithmonë unë i kam thënë, ishalla unë vdes para teje. Gjithmonë më thoshte, nuk ka më vështirë se me përjetu vdekjen e evlatit. Sepse babai im ka humbur një djalë para 10 vitesh në aksident. Aq shumë e kam dashur babain tim sa vështirë më e besuar një ditë se ai ka me vdekur”, thotë e bija.