Dy vëllezër janë ndaluar dje në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë të dyshuar për veprën penale “Detyrim/organizim i skemave piramidale”.
Sipas njoftimit të Policisë, dy vëllezërit dyshohet se kanë tentuar që të përfitojnë nga një person tjetër një shumë parash prej 43 mijë euro, të cilat sipas tyre, personi tjetër ua ka borxh, pasi kishte luajtur lojëra të fatit në lokalin e tyre.
Gjatë kontrollit në shtëpitë e banesat e tyre, janë sekuestruar një pistoletë me gaz dhe dy telefona.
“Janë ndaluar dy të dyshuar meshkuj kosovarë (vëllezër) nën dyshimin se të njëjtit kanë tentuar që me anë të detyrimit të përfitojnë nga viktima mashkull kosovar një shumë parash prej 43000€, të cilat sipas tyre viktima ka luajtur më herët lojëra të fatit në lokalin e tyre dhe u ka borxh. Gjatë kontrollit në shtëpitë dhe banesat e tyre, si prova materiale janë sekuestruar: një pistoletë me gaz me tetë copë fishekë dhe dy telefona”, bëhet e ditur në njoftim.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.