Në kohën kur hapja e Urës së Ibrit është bërë temë aktuale, ish-gazetari Ylber Durmishi, thotë se atje kufij për herë të parë kanë vendosur Forcat Franceze.
“Më kujtohet kur kanë zbarkuar Forcat Franceze në Mitrovicë, unë shkova të shoh gjendjen e qytetit në përgjithësi. Mbi Urën e Ibrit, ishin vendosur forcat franceze, qysh në ditën e parë kur forcat serbe u përgatiteshin për ta lëshuar Kosovën”, u shpreh ai.
Durmishi në “Info Magazine” tha mes tjerash se në atë kohë atij iu lejua të kalonte në pjesën veriore, veç pasi u identifikua si gazetar.
“Unë atë ditë kam kaluar në pjesën tjetër të qytetit që tashmë po quhet veriu, aty jam ndalur nga forcat franceze, ato kanë krijuar qysh në ditën e parë kufij. Unë e kisha vështirë të kaloj derisa i tregova se jam gazetar, i tregova dokumentet, dhe pastaj më kanë liruar të kaloj në pjesën veriore të qytetit. Kjo nuk është e rastësishme”.