Lajme

Durmishi arrin në Speciale për intervistim, nënshkroi “kontrata të dyshimta” për rrugën Prishtinë – Podujevë

By GAZETA SCANNER 1

May 08, 2024

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka nisur intervsitimin në Prokurorinë Speciale, pas nënshkrimit të kontratave të dyshimta për rrugën Prishtinë – Podujevë.

Më 30 prill, kur e kishte marrë ftesën për intervistim, Durmishi pati theksuar se prokuroria është bazuar “në spekulimet e një operatori ekonomik”.

“Dëshiroj t’ju njoftoj se kam pranuar një ftesë nga prokuroria speciale për intervistë me datën 8 maj. Kur e mora ftesën mendova që më në fund po më ftojnë për të më pyetur për lëndën që e pata dorëzuar në prokurorinë speciale para gati tri viteve. Por jo, ata më kishin ftuar për nënshkrimin e kontratave për rrugën Prishtinë – Podujevë”, kishte thënë ai.

Në gusht të vitit të shkuar, konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile “CorrWatch” pati evidentuar varg shkeljesh në tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë.

Durmishi i ka nënshkruar kontratat për tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), institucion i pavarur administrativ, i cili merret me ankesat e kompanive që aplikojnë për tenderët e institucioneve publike.

E vlera totale e kontratave të nënshkruara nga zëvendësministri Durmishi është 35 milionë euro, ndërsa njërën pjesë të këtij tenderi në vlerë mbi 8 milionë euro e ka fituar kompania ‘Bageri’, pronarin e së cilës zëvendësministri i Kosovës e ka konfirmuar vetë se e ka shok.