Deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, në emër të LDK-së e ka përkrahur komisionin hetimor lidhur me subvencionimin e librave shkollorë.
Dumoshi ka thënë se mijëra orë kanë humbur, dhe kjo nuk blehet me euro.
“Paaftësia e qeverisë bëri që tri vite radhazi, viti shkollor të fillojë me vonesë, gjë që nuk ka ndodhur as në vitet e 90-ta, atëherë kur intelektualët u bënë bashkë dhe organizuan mësimin në shkolla. Ministre, ajo që ka ndodhur kohëve të fundit është skandaloze. Mijëra nxënës kanë humbur qindra-mijëra orë mësim. Këto orë nuk llogariten me euro. Dëmi është shumëfish më i madh. Andaj grupi parlamentar i LDK-së mbështetë formimin e komisionit hetimor, në mënyrë që ju ministre të jepni llogari për dëmet që keni bërë”, tha Dumoshi në Kuvend, raporton Nacionale.
“Ne kërkojmë formimin e komisionit hetimor për procesin e subvencionimit, nëse ju nuk e pranoni do të thotë se keni gabuar. E keni shkelur ligjin siç e keni shkelur Kushtetutën më parë. Komisioni do të tregojë sa ka kushtuar eksperimenti yt ministre, Sa është numri i orëve të humbura, sa nxënës nuk i kanë librat”, tha ajo.
“Sipas një studimit të organizatës ETEA 70.6% kanë deklaruar se nxënësit në klasat e tyre nuk i kanë të gjitha librat. Ky studim është bërë një muaj pasi ka filluar viti shkollor. Politiak juaj ka pasur ndikim negativ në procesin mësimor, kështu thonë 52% të mësimdhënësve. Qysh zhvillohet mësimi kur janë 30 nxënës në klasë, e vetëm 5 nxënës i kanë komplet librat”, deklaroi deputetja e LDK-së.