Kult

Dumoshi: Aty ku menaxhojnë gratë, sukseset janë më të mëdha

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi mori pjesë në publikimin e raportit “Drejt solidaritetit dhe bashkëpunimit – Analizë mbi përfaqësimin e grave në shoqëri civile, media dhe institucione të kulturës në Kosovë” i punuar nga Gresa Rrahmani dhe mbështetur nga Artpolis, i cili u publikua në kuadër të festivalit FemArt – festival ky i mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Ky festival arritur përmes artit të mirë dhe cilësor të njihet edhe ndërkombëtarisht të krijuar nga artistet dhe aktivistet me qëllim të fuqizimit të grave dhe vajzave në njohjen e të drejtave të tyre të plota për arritjen e barazisë politike, ekonomike, kulturore, personale, dhe shoqërore.

Në fjalën e saj, Dumoshi tha se në këtë kohë pandemie jemi ballafaquar me shume sfida por se ministria është munduar ta menaxhojë sa më mirë situatën me ato mundësi dhe kapacitete që MKRS-ja ka pasur.

“Nëse e shohim historikisht rolin e gruas në shoqërinë tonë lë për të dëshiruar shumë. Ne kemi gra të cilat janë të gatshme të bëhen udhëheqëse dhe t’i marrin përsipër detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, po ashtu kemi edhe prej atyre të cilat janë të përgatitura jashtëzakonisht mirë por që nuk kanë ndonjë pozitë me përgjegjësi. Pra, ato duhet të vetëdijesohen dhe të kërkojnë që të marrin pozita udhëheqëse sepse aty ku menaxhojnë gratë, sukseset janë më te mëdha”.

“Në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë të punësuar rreth 579 punëtorë. 252 prej tyre janë gra. Gjithashtu kemi 3 drejtoresha dhe kemi edhe udhëheqëse të divizioneve të ndryshme në sport kemi 50 % gra”, tha mes tjerash Dumoshi.