Lajme

Dumani: Krimi i organizuar në Shqipëri rrezik real, prokurorët janë të kërcënuar

By GAZETA SCANNER 1

November 23, 2024

Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, pranoi se krimi i organizuar në Shqipëri është një rrezik real.

Ai në një intervistë për RTSH theksoi se prokurorët janë kërcënuar shpesh herë nga aktorë të organizatave kriminale.

“Krimi i organizuar shqiptar është shumë i rrezikshëm dhe këtë nuk e themi vetëm ne, por edhe agjencitë e huaja me të cilat ne bashkëpunojmë. Nuk flasim për krim të rrezikshëm imagjinar, por për real”.

Dumani theksoi se SPAK ka goditur organizata kriminale që më parë as mendohej të prekeshin.

“Sa i takon krimit të organizuar ka treguar në këto vite se në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të ushtrojë ndjekjen penale ndaj grupeve të strukturuara kriminale dhe organizatave kriminale që më parë as që mendohej të prekeshin por sot është realitet”.

Dumani ravijëzoi se përballja me korrupsionin dhe krimin e organizuar ka bërë që të sekuestrohen deri tani 150 milionë euro pasuri të vëna nëpërmjet korrupsionit dhe krimit.

“Tre janë përparësitë e SPAK-ut: lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizimit. Momentalisht jemi fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. SPAK deri tani ka dëshmuar se është në gjendje të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti, pavarësisht pozitës së tij”.

Më tej, Dumani, është i bindur se institucioni që ai drejton ka tronditur thellë kulturën e pandëshkueshmërisë në vend.

Dumani në një rrëfim në RTSH ka treguar se SPAK përgjatë 5 viteve punë ka një bilanc pozitiv dhe mbresëlënës.

Ai vuri në dukje se SPAK ka vendosur para drejtësisë funksionarë shumë të lartë, të nivelit të mesëm, të nivelit të ulët, ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, për kryetarë bashkish, ish-kryetarë bashkish, anëtarë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, funksionarë shumë të lartë policie.

Sipas tij, Prokuroria e Posaçme nuk ka një agjendë politike për të ndjekur njërën palë apo tjetrën.