Lajme

Dugolli për paralajmërimin e Sveçlës: Nuk përjashtohet mundësia e sulmit ndaj Kosovës

By GAZETA SCANNER 1

April 02, 2024

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Enver Dugolli, tha se deklarimi i ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla për përgatitjen e bandave serbe përreth kufirit me Kosovën është shqetësues për sigurinë në vend.

Në emisionin “Info-Nata” në Tëvë1, Dugolli tha se nuk përjashtohet mundësia e sulmit ndaj Kosovës, por shtoi se shteti është i përgatitur.

I pyetur nëse një deklaratë e tillë është alarm për sigurinë e vendit, Dugolli e pohoi një gjë të tillë.

“Gjithsesi që alarm duhet të jetë për të gjithë, nuk është e paditur për ne, është një lajm për të cilin është thënë edhe më herët dhe janë informuar edhe më herët institucionet tjera ndërkombëtare madje mund t’i kenë edhe më të detajuara. Por gjithmonë prapa këtyre tensioneve është tërheqë njëfarë narracioni, njëfarë paralele tjetër, por e vërteta është se ato grupe po veprojnë dhe po stërviten për një qëllim të caktuar të cilin e kanë prishjen paqes, stabilitetit, sulmin kundër sovranitetit territorial të Kosovës. Nuk përjashtohet mundësia e sulmit ndaj Kosovës me vet faktin që kemi pas edhe deklarata publike të Vuçiqit i cili ka thënë se po presim momentin e duhur dhe ta shfrytëzojmë momentin e duhur që mundësisht të fillojnë përmes këtyre grupeve dhe më pastaj të zgjerohet ajo gama e dhunës edhe e agresionit”, u shpreh Dugolli.

Dugolli tha se ministri për këto sulme njoftoi edhe në Komisionin Parlamentar për Siguri në Kuvend.

“Padyshim që është shqetësues, ministrin e kemi pas edhe në raportim të rregullt, na ka informu edhe për këtë rast, edhe drejtori i Përgjithshëm i PK-së. Këto janë fakte të hidhura sa i takon msogjykimit dhe mosndëshkimit të atyre kriminelëve dhe terroristëve që e kanë kry sulmin në Banjska,ata vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi, madje vazhdojnë rigrupimin e tyre nëpër baza të ndryshme të ushtrisë e xhandarmërisë serbe dhe ky është shqetësim real të cilin ministri Sveçla e ka bërë publik edhe për qytetarët pa çka nëse ne jemi të gatshëm të përballemi edhe me këto lloj sulme që nuk janë të panjohura për ne”, u shpreh Dugollli.