Lajme

Dugolli mohon mundësinë e shkuarjes në koalicion me ndonjë parti politike

By GAZETA SCANNER 1

May 15, 2024

Enver Dugolli, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e ‘Lëvizjes Vetëvendosje!’, mohoi mundësinë e shkuarjes në koalicion me ndonjë parti politike, duke thënë se koalicionin e vetëm do ta kenë me qytetarët e Kosovës.

Për takimin e djeshëm në mes të kryeministrit Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, që kishte të bënte për zgjedhje të reja të parakohshme, deputeti Dugolli tha se ky takim kishte karakter konsultativ, që kishte të bënte për punën e legjislativit për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ku kërkohen 80 vota për, por edhe për zgjedhje të parakohshme.

Lidhur me shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, Dugolli tha se kjo mund të bëhet me shpërbërje të Kuvendit.

“Do të shpërbëhet parlamenti, ne qeverinë nuk e rrëzojmë, sepse nuk ka arsye rrëzimi i saj”, deklaroi Dugolli, derisa shtoi se do të fitojmë më bindshëm se më parë.

Dugolli mohoi mundësinë e shkuarjes në koalicion me ndonjë patri politike, duke thënë se koalicionin e vetëm do ta kenë me qytetarët e Kosovës.

Ndërsa për sigurinë në vend ai tha ka ndryshuar për të mirë, se tani është shtuar numri i policëve kufitarë, që për detyrë ka ruajtjen e monitorimin e kufirit.

Tutje Dugolli foli edhe për anëtarësimin e Kosovës në KiE. Qasjen e kushtëzimit të Kosovës për anëtarësim në KiE me themelimin e Asociacionit, ai tha se është e padrejtë dhe që penalizojnë vendin tonë.

“Lajm i mirë nuk është, edhe pse kushtet e kërkuar nga Kosovë janë përmbushur por mbetet në duar të ministrave të KiE-së”, tha Dugolli në ‘Lajmet e fundit’, në RTK.

Ai shtoi se padrejtësi po i bëhet edhe ndaj qytetarëve serbë të Kosovës.

“Kosova nuk guxon t’i nënshtrohet presioneve që dëmtojnë interesat e shtetit”, tha Dugolli, teksa shtoi se ky presion nuk ka të bëjë me qeverinë e vendit.

“Me rëndësi është që të zgjidhet diçka si duhet e të mos ketë probleme prapa në kohë”, tha ai.