Lajme

Dugolli: Kosova s’ka pa ditë të mira nga fillimi i dialogut në 2011

By GAZETA SCANNER

September 18, 2024

Profesori universitar, Bujar Dugolli, ka deklaruar se që nga fillimi i dialogut në 2011 Kosova ‘nuk ka parë ditë të mira’, pasi sipas tij konstruktiviteti i palës kosovare nuk është paguar asnjëherë.

Për Dugollin, gjithë ky proces i ka konvenuar Serbisë, e cila siç ka thënë, e ka përdorur rolin e palës në proces duke bartur fajin diku tjetër.

“Fillimi i bisedimeve në 2011 për këto të ashtuquajtura çështje teknike ashtu si i ka pranuar pala kosovare me atë konstruktivitetin e saj për shkak se ia ka kërkuar bashkësia ndërkombëtare, ka qenë gabim dhe prej atij momenti kur ka filluar ky proces Kosova, si të them me atë fjalën popullore ‘nuk ka parë ditë të mira në këtë aspekt’. Gjithë ky proces i ka konvenuar Serbisë, sepse Serbia e ka përdorur duke e luajtur rolin e palës në proces dhe duke bartur fajin diku tjetër, e tash ky konstruktiviteti ynë ndër vite nuk është paguar, nuk them tash se ne menjëherë duhet të jemi shumë destruktiv por historia na mëson se kur kemi qenë ‘destruktiv’ në raport si na kanë parë të tjerët ne kemi arritur të fitojmë shumë gjëra”, është shprehur ai në emisionin “Këndi i Debatit”, në Tëvë1.