Lajme

Drenasi përfiton një donacion me komposterë shtëpiakë dhe kontejnerë

Komuna e Drenasit me mbështetjen e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Gjerman – GIZ në kuadër të projektit për ndarjen e mbeturinave në burim, ka shtrirë edhe sistemin për kompostim dhe ka përfituar një donacion prej 326 komposterësh shtëpiakë si dhe 100 kontejnerë me kapacitet 240 litra të cilët do të shërbejnë për ndarjen e mbeturinave organike nëpër ekonomitë familjare në zonat e caktuara sipas pilot projektit.

Përmes këtij projekti do të sigurohen parakushtet për ekonomitë familjare për ndarjen e mbeturinave organike përmes ofrimit të komposterëve.

Nga ky projekt priten shumë përfitime duke filluar nga zvogëlimi i kostos së deponimit të mbeturinave përmes reduktimit të sasisë se mbeturinave qe bartën në deponitë regjionale, profit ekonomik familjar për prodhimin e plehut organik . Kjo do të ndikojë edhe ngritjen e vetëdijes së komuniteti për rëndësinë e trajtimit të mbetjeve si resurs për përfitim.

Komuna e Drenasit mbetet e përkushtuar për zbatimin e sistemit të integruar të menaxhimit të mbeturinave përmes 3R (redukto, ripërdor, riciklo) duke përdorur praktikat me të avancuara për këtë qëllim, Komuna e Drenasit me mbështetjen e donatorëve do të vazhdojë në ngritjen e kapaciteteve dhe zgjerimin edhe në zonat e tjera të cilat do të praktikohen për ndarjen dhe kompostimin e mbeturinave të riciklueshme në burim.