Lajme

Drenasi do bëhet me stacion sizmik sekondar

By GAZETA SCANNER 1

June 06, 2024

Në Drenas do të ndërtohet stacioni sizmik sekondar. Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, kanë nënshkruar marrëveshjen për “Ndërtimin e stacionit sizmik sekondar”.

Në marrëveshje parashihet dhënia në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të komunës për realizimin e projektit “Ndërtimi i stacionit sizmik sekondar”, i cili do të ndërtohet në zonën kadastrale në fshatin Kishnarekë të Drenasit.

Me këtë rast, Mjeku theksoi se ministria e Ekonomisë, përkatësisht Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, ka përgjegjësi ligjore për zhvillimin, monitorimin dhe raportimin e ngjarjeve sizmike, të cilat informacione janë shumë të rëndësishme për sigurinë e jetës së qytetarëve të Kosovës.

Ai po ashtu shtoi se që nga fillimi e deri më tani, përveç qendrës monitoruese dhe raportuese në Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, Rrjetit Sizmik i Kosovës ka ndërtuar gjashtë stacione sizmike sekondare, në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Rahovec, ndërsa ky do të jetë stacioni i shtatë i radhës, i cili do të kontribuojë në grumbullimin dhe saktësimin e informacioneve relevante për çështjet analitike të rrjetit sizmik të Republikës së Kosovës.