Lajme

Drejtori i Policisë tregon detaje se si ndodhi sulmi ndaj policëve në Veri

By GAZETA SCANNER 1

September 25, 2023

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se operacioni i djeshëm i Policisë në veri ka qenë më i suksesshmi që nga paslufta.

Ai ka treguar edhe për rrjedhën e sulmit terrorist, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, u plagos një polic dhe u lëndua një tjetër.

Hoxha ka thënë se Policia është koordinuar me EULEX-in dhe KFOR-in, e se vazhdimisht kanë kërkuar dorëzimin e sulmuesve.

“Unë do t’i jap disa prej të dhënave që ndërlidhen me operacionin e djeshëm, operacioni më i madh dhe i suksesshëm që nga paslufta deri më tash. Dje me datë 24.9.2023 një ekip i policisë me të arritur te ura e fshatit të njohur Banjsëk, ka hasur në një bllokim të rrugës nga dy kamion pa traga të braktisur. Ekipi i policisë deri sa po raportonte për bllokim të rrugës të njejtit janë sulmuar nga persona të pa identifikuar me arme të zjarrit dhe mjete shpërthyese. Të dyshuarit janë larguar në drejtim të fshatit Banjskë…”

“Menjëherë pas sulmit terrorist, ekipet e policisë në koordinim të vazhdueshëm me EULEX-in dhe KFOR-in kanë ndërmarr të gjitha veprimet për lokalizimin e përgjegjësve për sulm terrorist”.

“Gjatë monitorimit  të pamjeve brenda manastirit janë vërejtur edhe disa persona civil të cilët nuk janë lejuar që të largohen nga personat e armatosur, duke ngritur dyshimin e bazuar që personat civil do të përdoren nga grupi i armatosur si pengje”.

“Policia në mënyrë të vazhdueshme ju ka bërë thirrje të dyshuarve të armatosur që të dorëzohen, të njëjtit në vazhdimësi kanë shtënë me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm edhe me raket-hedhës në drejtim të policisë”, ka thënë Hoxha, pas prezantimit të armatimit që u gjet në Manastirin e Banjskës.