Sport

Dramë në grupin E, të gjitha kombëtaret me pikë të barabarta – ja kush shkon tutje

By GAZETA SCANNER 1

June 26, 2024

Ka përfunduar edhe grupi E, ku tre skuadra – pra Rumania, Belgjika dhe Sllovakia kanë avancuar në fazën tjetër, ndërsa Ukraina është eliminuar përfundimisht nga Kampionati Evropian “Euro 2024”.

Xhiro e fundit ishte mjaftë dramatike në këtë grup, ku pas dy ndeshjeve të para secila kombëtare kishte nga tre pikë.

Në raundin e tretë, Rumania mori një barazim te Sllovakia që ishte i mjaftueshëm për ta siguruar vendin e parë në tabelë – derisa Belgjika me një barazim pa gola e eliminoi Ukrainën.

Belgjika zhvilloi një paraqitje të zbehët ndaj Ukrainës, ku pavarësisht që dominoi në posedim, epilogu përfundimtar doli të jetë 0:0.

Belgjika kuptohet ishte më kërkuese duke pasur raste me Romelu Lukakun e Kevin de Bruyne që ishte afër të shënonte nga distanca, mirëpo assesi s’i finalizuan.

Ukraina në anën tjetër zhvilloi disa kundëraksione të shpejta, me Yaremchuk që kishte një mundësi të mirë shënimi.

Pjesa e dytë ishte edhe më e barabartë, me ukrainasit që rrezikuan me anë të yllit të Gironas Artem Dovbyk, i cili humbi dy mundësi të arta.

Kësisoj, Belgjika kualifikohet si pozitë e dytë në “Euro 2024”, derisa Ukraina përshëndetet me Evropianin.

Në anën tjetër, Rumania pasi bëri befasinë në kualifikuese ka vazhduar me serinë e njëjtë, duke e mbyllur si lider grupin E.

Me një barazim 1:1 ndaj Sllovakisë, rumunët u kualifikuan tutje si lider me katër pikë të mbledhura.

Sllovakia e nisi më mirë përballjen duke kaluar në epërsi përmes Ondrej Duda, që finalizoi asistimin fantastik të Juraj Kucka (24’).

Sidoqoftë, ishte Hancko që bëri një ndërhyrje brenda zonës me gjyqtarin që pastaj me ndihmën e VAR-it akordoi penallti. Nga pika e bardhë i pagabueshëm ishte Razvan Marin, që barazoi rezultatin (37’).

Rumania në pjesën e dytë mund t’i fitonte lehtë pikët e plota mirëpo që Dragus humbi një mundësi të mirë shënimi nga afërsia.

Rumania së shpejti do ta mësojë kundërshtarin për rrethin tjetër, derisa Belgjika do të ketë punë me një nga favoritët, Francën.