Lajme

Dosja e Prokurorisë- Për çka ngarkohen dy serbët në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në protestat në veri?

By GAZETA SCANNER 1

February 09, 2024

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 5 shkurt 2024, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër dy personave të nacionalitetit serb Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, të cilët po akuzohen për veprimet e dhunshme në protestat e organizuara kundër rendit kushtetues në Zveçan.

Sipas aktakuzës të pandehurit Petroviq dhe Obrenoviq po akuzohen se më 29 maj 2023 nga ora 6:00 e deri në orët e mbrëmjes në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit e në koordinim me shumë të pandehur tjerë të nacionalitetit serb, kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit, ashtu që kanë refuzuar urdhrat e ushtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzim të hyrjes në objektin e komunës.