Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se nuk ekziston opsioni i dorëheqjes së Kurtit, por që VV është e gatshme për zgjedhje kurdo që caktohen ato.
“Duhet të jetë për secilin e qartë opsioni i dorëheqjes nuk ka qenë, nuk është dhe s’do të jetë asnjëherë, ne tani po futemi në ciklin e rregullt zgjedhor, nga shtatori llogaritet kurdo që të caktohet data e zgjedhjeve dhe llogariten zgjedhje të rregullta, do të diskutohet nga partitë më presidenten për datën. Ne jemi të gatshëm, më se të gatshëm kemi qenë dhe do të jemi në çfarëdo kohe që caktohen ato”, thotë ai.
Deputeti shprehet i bindur se partia të cilës i takon do të tejkalojë rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021.“Padyshim që rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 do të tejkalohet, ne do të marrim edhe më shumë mbështetje se atëherë dhe për këtë jemi të sigurt. Po punojmë çdo ditë që ta bindim edhe atë pjesë të qytetarëve që mbase kanë qenë në dyshime dhe nuk kanë besuar në premtimet dhe punën e qeverisë mirë, të Qeverisë Kurti dhe jemi të sigurt se do ta tejkalojmë rezultatin e 2021-ës”, vlerëson Dugolli për Gazeta Blic.
Sa i përket opozitës dhe deklaratave se VV do të pësojë rënie të madhe, deputeti thotë se ata janë në teren dhe qytetarët janë të kënaqur me punën e qeverisë Kurti.“Ne nuk presim asnjëherë nga opozita që të konfirmojnë rritjen e besueshmërisë e të përkrahjes për VV-në, për qeverinë Kurti, është e natyrshme që ata pretendojnë që nuk do të ketë rezultat të ngjashëm, por e vërteta është që ne jemi në teren, punojmë dhe komunikojmë me qytetarët, ata janë të kënaqur dhe besoj që shumë punë e shumë projekte të cilat kanë qenë premtim nga qeveria që s’kanë arritur të realizohen, ne do t’i përmbyllim dhe do të shënojmë suksese të reja në mandatin që do ta marrim në zgjedhjet e reja”, deklaron deputeti i VV-së, Enver Dugolli.