Ballina

Djali i Shpejtim Bulliqit një hap drejt punësimit në Qendrën e Studentëve

By GAZETA SCANNER 1

August 01, 2024

Arbër Bulliqi, djali i kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqi është shumë afër punësimit si zyrtar për Sport dhe Rekreacione në Qendrën e Studentëve.

Ai është përzgjedhur i pari në listë për intervistë me gojë pasi ka kaluar me sukses fazat e testimit.

Qendra Studentore ka hapur konkurs për punësimin e një zyrtari për Sport dhe Rekreacione. Konkursi i hapur me 30 maj ndërsa me 8 korrik vetëm tre kandidat kanë plotësuar kriteret për t’u testuar me shkrim. Në mesin e tre kandidatëve, është edhe djali kryetarit të Podujevës Shpejtim Bulliqit. Arbër Bulliqi është listuar i pari në listë.

Me 24 korrik, Qendra e Studentëve ka publikuar listën me dy kandidat që kanë kaluar fazën e testimit me shkrim dhe pritet që t’i nënshtrohen intervistës me gojë me 8 gusht.

Në këtë njoftim të publikuar në sajtin e Qendrës, emrat e kandidatëve nuk janë publikuar me emra siç ndodh çdoherë në konkurs, por janë publikuar me numër të protokollit.

Scanner mëson se njëri nga dy kandidatët e thirrur për intervistim është edhe djali i kryetarit, Shpejtim Bulliqi.

Lidhur me këtë Gazeta Scanner ka dërguar pyetje në adresë të drejtorit të QS, Ekrem Rudari, po nuk ka marrë përgjigje.

Kujtojmë se Ekrem Rudari është parë si njeri i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje. Në profilin e tij në Facebook, ai ka një mori fotografish me kryeministrin Kurti.

Po ashtu, edhe vëllai i tij, Patriot Rudari ka qenë asamblist i Vetëvendosjes në Podujevë.

Në konkursin e hapur me 30 maj, janë cekur dy kritere. E Para ‘Diplomë Universitare’ dhe e dyta ‘të paktën 1 vit përvojë pune në këtë lami”.

Kandidati i përzgjedhur, Arbër Bulliqi ka ofruar dëshmi për të parën pasi ai ka diplomuar në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sporteve në mars të vitit 2023.

Por, dyshimet janë tek përvoja e punës. Ende nuk dihet nëse Arbër Bulliqi ka ofruar dëshmi se ka pasur 1 vit përvojë pune në fushën e sporteve dhe rekreacioneve pasi ai ka diplomuar vitin e kaluar.