Lajme

Dita e Dëshmorëve të Kombit në Shqipëri, Rama bën homazhe te “Varrezat e Dëshmorëve”

By GAZETA SCANNER 1

May 05, 2024

Ceremonia zyrtare e homazheve në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit” po mbahet sot në Ditën e Dëshmorëve të Atdheut në Shqipëri.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama. ishte i pranishëm në ceremoni, së bashku me kryeparlamentaren Lindita Nikolla. Po ashtu në ceremoni merrte pjesë dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Zyrtarë të shtetit dhe politikës do të vendosin kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim të të rënëve në luftën antifashiste.

Dita e Dëshmorëve u vendos të jetë 5 Maji 1942, dita kur u vra nga fashistët, Qemal Stafa, aktivist i luftës Nacional Çlirimtare.

Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli shqiptar i kujtonte dëshmorët e tij dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.

Pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912 e deri në vitin 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut.

Në vitin 1923 u ligjërua vetëm pensioni për familjet e tyre, si pjesë e ligjit për pensionet e ushtarakëve.

Gjatë luftës Nacional Çlirimtare, fillojnë përpjekjet e para për të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Të rënët i bënë simbol frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të dëshmorëve reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi partizan ceremonial, ndihma për familjet, zëvendësimi i tyre në radhët partizane nga të afërt etj., të gjitha këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit.

Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut.

Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”.

Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”.

Më 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut. Me një vendim të qeverisë Meksi, ende i pa publikuar, iu hoqën përfitimet familjeve të dëshmorëve.

Ne vitin 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës./tch/