Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës dhe nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, në Ditën e Çlirimit të Skenderajt, ka thënë se kjo ditë është më e mangët pa drejtuesit e UÇK-së të cilët po ballafaqohen me drejtësinë në Gjykatën Speciale.
Lushtaku ka Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër.
“Sot nuk kemi si të mos kujtojmë bashkëluftëtarët e udhëheqësit e luftës sonë çlirimtare, të cilët janë duke u akuzuar nga Gjykata Speciale në Hagë. Kjo ditë është më e mangët pa ta, por do të jemi gjithmonë pranë tyre sepse besojmë në luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.
Postimi i plotë:
Në 23 vjetorin e çlirimit të Skenderajt, në këtë ditë shumë të veçantë për qytetarët tanë, kujtojmë sakrificën e Komandatit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, gjithë trimave dëshmorë të UÇK-së e martirëve të rënë në shërbim të kombit. Falënderim i madh për miqtë tanë ndërkombëtar, SHBA-në e vendet e Evropës Përendimore që përmes aleancës së NATO-s u rreshtuan në anën e drejtë të historisë.
Sot nuk kemi si të mos kujtojmë bashkëluftëtarët e udhëheqësit e luftës sonë çlirimtare, të cilët janë duke u akuzuar nga Gjykata Speciale në Hagë. Kjo ditë është më e mangët pa ta, por do të jemi gjithmonë pranë tyre sepse besojmë në luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së.
Me aktivitete të shumta, me nderime pranë shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari, në Memorialin e Jasharajve si dhe në Marinë në Kompleksin e Dëshmorëve të UÇK-së, përkujtuam bashkëluftëtarët dëshmorë që dhanë jetën për lirinë e vendit tonë.
Në këtë ditë të veçantë, bëmë zbulimin solemn të emrit të palestrës së qytetit të Skenderajt, me emrin e njërit nga themeluesit e UÇK-së, heroit Ilaz Kodra. Poashtu bëmë edhe zbulimin e bustit të mjekut të UÇK-së, Dr. Fatmir Fazlisë në oborrin e QKMF-së në Skenderajt, emrin e të cilit e mban ky institucion shëndetësor.
Në Krasmirofc zbuluam dy pllaka përkujtimore, njëra për shtëpinë-shkollë e tjetra për spitalin ushtarak të Zonës së Drenicës, të vendosur në familjen bujare të Ismajl Mehmetit, kulla e të cilit gjithmonë ishte e hapur për luftëtarët e UÇK-së dhe për civilë të shumtë.
Morëm pjesë edhe në turneun tradicional “Dr. Fatmir Fazlija” në Turiqefc, ku veteranë të shumtë të pinpongut nga mbarë trojet shqiptare e bënë madhështor këtë turne i cili organizohet në nderim të doktorit Fatmir Fazlija.
Urime Dita e Çlirimit të gjithë qytetarëve të Skenderajt!
SL