Lajme

Diskutohen prioritetet e përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë për fuqizimin e diasporës

By GAZETA SCANNER

December 14, 2024

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”, që u zhvillua në Prishtinë, e mirëpriti në takim zëvendësministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Silda Anagnosti – Çepe.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se Gashi dhe Anagnosti – Çepe e vlerësuan rëndësinë e forumit “Ulpiana”, si një platformë e veçantë për diskutimin e rolit të diasporës shqiptare dhe angazhimit të saj në proceset diplomatike dhe zhvillimore.

“Diskutimi u përqendrua në agjendën dhe prioritetet e përbashkëta të Kosovës dhe të Shqipërisë për mbështetjen dhe fuqizimin e aktiviteteve të diasporës shqiptare. Zëvendësministrja Gashi e falënderoi homologen e saj për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e dhënë në identifikimin e mekanizmave inovativë për përfshirjen e diasporës në sektorët kyç të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe social”.

“Të dyja palët u dakorduan për rëndësinë e bashkërendimit të aktiviteteve dhe projekteve konkrete, duke e kthyer diasporën në një partner kyç për zhvillimin dhe avancimin e prioriteteve strategjike të dy vendeve”, thuhet në njoftim.