Lajme

Dhuna ndaj kandidatit të PS në Kolonjë, policia: Njëri i preu rrugën me makinë, tjetri e grushtoi

By GAZETA SCANNER 1

May 14, 2023

Kryebashkiaku i Kolonjës dhe kandidati i PS për një tjetër mandat në këtë bashki, Erion Isai është goditur fizikisht në mesnatë. Policia njofton përmes një reagimi zyrtar se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Korçë-Ersekë”, në afërsi të fshatit Qinam.

Një simpatizant i koalicionit opozitar duke drejtuar automjetin tip “Ford”, i ka prerë rrugën automjetit me të cilin po udhëtonte kryetari i bashkisë Kolonjë, dhe më pas kanë debatuar me fjalë me njëri-tjetrin. Në konflikt është përfshirë edhe një person tjetër i cili e ka goditur me grusht në fytyrë, kryetarin e bashkisë Kolonjë.

Pas kësaj ngjarje mësohet se kryetari i Bashkisë Kolonjë ka denoncuar rastin në komisariatin e policisë. Sipas shtabit të kandidatit të opozitës këta të fundit kishin marrë një informacion që në fshatin Qafëzez, Isai me stafin po kryenin fushatë dhe se po shpërndanin para.

Autori është arrestuar ndërsa personi që i ka prerë rrugën po hetohet në gjendje të lirë.

Njoftimi i policisë:

Kolonjë/Goditi me grusht, për shkak të detyrës, kryetarin e bashkisë Kolonjë, vihet në pranga 33-vjeçari. Procedohet në gjendje të lirë edhe një shtetas tjetër, i përfshirë në konflikt, i cili pengoi me automjetin e tij, lëvizjen e automjetit me të cilin udhëtonte kryetari i bashkisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 33 vjeç, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, si dhe referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, për shtetasin Xh. K., 34 vjeç, të dy banues në fshatin Qinam, Kolonjë.

Mbrëmjen e djeshme, në aksin rrugor “Korçë-Ersekë”, në afërsi të fshatit Qinam, shtetasi Xh. K., duke drejtuar automjetin tip “Ford”, i ka prerë rrugën automjetit me të cilin po udhëtonte kryetari i bashkisë Kolonjë, shtetasi E. I. (njëkohësisht dhe kandidat i PS-së për zgjedhjet vendore) dhe më pas kanë debatuar me fjalë me njëri-tjetrin. Në konflikt është përfshirë edhe shtetasi E. K., i cili e ka goditur me grusht në fytyrë, kryetarin e bashkisë Kolonjë. Të gjitha veprimet procedurale për këtë rast janë kryer në drejtimin e Prokurorisë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.