Botë

Dhjetë të arrestuar në Itali pas hetimeve për kontroll të varrimeve nga mafia

Policia italiane ka arrestuar dhjetë persona pas hetimeve për kontrollim të supozuar të grupeve mafioze ndaj varrezave në një lokacion në veri të Italisë.

Policia italiane pretendon se dy klane të sindikatës së krimit “ndrangheta”, kanë vendosur se cilat firma lejohen të kryenin ceremonitë e varrimit apo punë ndërtimore, si ngritja e mauzoleve, në varrezat në Modena, qytetin në rajonin e pasur të Emilia-Romagna.

Sindikata ‘ndrangheta’ ka bazën në jug të Italisë dhe merret me shpërndarje të kokainës. Por anëtarët e saj janë infiltruar gjithnjë e më shumë në veriun e pasur të Italisë, në kërkim për të ardhura më të mëdha dhe për biznese të ligjshme, për t’i përdorur ato për pastrim të parave.

Në vitin 2018 një gjykatë rajonale kishte dënuar 125 anëtarë të kësaj sindikate, apo bashkëpunëtorë të saj.

Mediat italiane kanë raportuar se informacioni që çoi te arrestimet e së martës erdhi nga bisedat telefonike të përgjuara.