Lajmest-slider

Detaje për infermierin e QKUK-së që u therr me thikë nga një pacient

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje për rastin e së shtunës, ku një infermier i QKUK-së është sulmuar me thikë nga një person.

Rasti ka ndodhur mesditën e së shtunës, derisa infermieri ishte në vendin e tij të punës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Viktima është jashtë rrezikut për jetë, sipas mjekëve të QKUK-së.

“Është raportuar se nga i dyshuari mashkull kosovar, është therur me thikë viktima mashkull kosovar (infermier). Viktima është në tretman mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë sipas mjekëve të QKUK-së”, ka njoftuar policia.

I dyshuari për këtë rast ndodhet në arrati.

“I dyshuari pas kryerjes së veprës penale është arratisur nga vendi i ngjarjes dhe është duke u kërkuar nga policia”, ka bërë të ditur PK.

Ndërkohë, Infermieri F.B. i Klinikës së Urologjisë, pas plagosjes i është nënshtruar një operimi.

Këtë e ka bërë të ditur Sindikata e Infermierëve përmes një njoftimi.

“Operacioni u krye me sukses falë ndërhyrjes profesionale dhe të shpejtë të ekipit të QKUK-së. Gjendja e kolegut tonë tani është stabile. Falënderojmë ekipin mjekë dhe infermier që morën pjesë në ndërhyrjen kirurgjike”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Lidhur me këtë rast, të shtunën ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë.

MSH përmes një komunikate për media ka deklaruar  se sulmet ndaj mantelbardhëve janë të papranueshme.

“Pavarësisht rrethanave të cilat kanë çuar te ky sulm, të cilat duhet t’i zbardhin organet e rendit, MSh konsideron se ofendimet, sulmet dhe dhuna ndaj profesionistëve shëndetësor janë të papranueshme dhe kryerësit e këtyre akteve kërkon të ndëshkohen në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në komunikatë.

Ndaj rastit ka reaguar edhe Oda e Infermierëve të Kosovës të cilët e kanë dënuar rastin.