Lajme

Dështojnë tenderët afër tre milionë euro për uniformat e policëve

By GAZETA SCANNER 1

February 11, 2024

Rreth tre milionë euro ishin paraparë që t’u dedikohen zyrtarëve policorë.

Por, dy tenderët për furnizim me uniforma operacionale dhe uniforma për detyra taktike janë anuluar nga Policia e Kosovës në muajin janar me arsyetimin se asnjëra ofertë nuk ka qenë e përgjegjshme.

Kështu, janë bërë afro tri vite që pjesëtarët e kësaj organizate sigurie nuk janë pajisur me uniforma zyrtare.

Për këtë çështje, tëvë1 ka adresuar pyetje në këtë institucion, por që të njëjtit nuk i janë përgjigjur interesimit të televizionit.

E mungesa e kushteve të punës, sipas njohësve të fushës së sigurisë është shqetësuese, shkruan Tëvë1.

Hartuesi i Ligjit për Policinë, Nuredin Ibishi thekson se deri te këto probleme kanë ardhur për shkak të procedurave në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Teksa shton se për shkak të natyrës së veçantë të punës për policët, procedura të tilla të tejkalohen.

Kurse, ish.zv-ministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha vlerëson se këto ndikojnë në kryerjen e detyrave zyrtare por edhe paraqet imazh negativ të këtij institucioni.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar pjesëtarë të Njësive Speciale e njësi tjera të Policisë kishin protestuar dy herë para objekti të Qeverisë duke kërkuar përmirësim të kushteve të punës. /Tëvë1/