Në Shqipëri parlamenti ka nisur së fundmi punën për reformimin e kodit zgjedhor, dhe komisioni përkatës, pas vonesave të shumta, ka filluar tashmë punën, e cila është ndërprerë herë pas here për shkak të përplasjeve mes shumicës socialiste dhe deputetëve të opozitës lidhur me përbërjen e komisionit.
Ndërkohë, një prej afateve është shkelur tashmë. Në vitin 2022, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të votës së diasporës dhe ngarkoi Kuvendin që të miratonte ligjet përkatëse deri në janar.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tha në fund të vitit të kaluar se nëse kuadri ligjor nuk bëhej gati brenda janarit të këtij viti, votimi i diasporës do të ishte i pamundur për zgjedhjet e 2025.
Në një intervistë me Zërin e Amerikës, deputetja e Partisë Socialiste dhe anëtarja e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Blerina Gjylameti, tha se përcaktimi i metodologjisë mbi mënyrën e votimit të diasporës, nuk mund të jetë një produkt i njëanshëm, po i gjithëpranuar.
“Ka një element i cili duhet të theksohet dhe të sqarohet. Çështjet e një lloj problematike të brendshme të Partisë Demokratike nuk mund të jenë çështje të parlamentit shqiptar. Përfaqësimi i tyre vazhdon të jetë. Është zoti Aliebaj që ka qenë i propozuar nga ata, por ndërkohë në anën tjetër, bashkëkryesimi, nuk do të thotë mungesë të përfaqësimit të të gjithë palëve politike në Komision të Reformës Zgjedhore. Po të shikojmë, përbërja e atij komisioni është nga të gjithë partitë politike dhe ndërkohë në anën tjetër, kush është drejtuesi, zgjidhet nga vetë ata”.
“Zvarritja, pothuajse 1 viti e gjysmë tashmë e Komisionit të Reformës Zgjedhore, ndërkohë që do duhej të ishim ulur, të kishim adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, për të patur zgjedhje më të mira, zgjedhje më të mirëorganizuara dhe po ashtu, të lira, të ndershme dhe të gjithëpranuara, është dhunuar pikërisht nga ky lloj ngërçi i brendshëm i tyre. Ndërkohë, në anën tjetër, unë besoj që ishte pozitiv momenti i parë, kur bëmë thirrje, pas shumë kohësh, për të pasur mbledhjen e parë të Komisionit për Reformën Zgjedhore, ishte i pasuksesshëm, patëm një tentativë të dytë për të pasur një mbledhje fizike, përsëri ishte e pasuksesshme dhe pastaj kaluam me pjesën online. Unë besoj, do duhet nga ana e tyre të tregojnë maturi politike, për të arritur që të zgjidhin midis tyre, problematikat apo ngërçet që kanë, apo edhe konfliktet e brendshme…”, ka thënë Gjylameti. /VOA/