Deputeti kosovar në Parlamentin e Landit të Bavarisë së Epërme, Deli Balidemaj, ka folur rreth temës së hapjes së Urës së Ibrit.
Balidemaj tha se “Është momenti i fundit që të hapet Ura e Ibrit!”.
Ai pati kritika për faktorin ndërkombëtar.
“Disa pikëpamje të bashkësisë ndërkombëtare, të disa politikanëve, nuk i ofrojnë qetësi respektivisht nuk i ofrojnë bashkëjetesë qytetarëve të Kosovës. Mos të them se janë dashakeqëse”, tha ai në Klan Kosova.
Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ripërsëritur se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt.
Kurti në fjalën e tij hapëse në mbledhjen e qeverisë ka thënë se lidhur me hapjen e saj ka biseduar edhe në takimin e djeshëm me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, dhe u shpreh se do të vazhdojë konsultimet dhe koordinimet me partnerët, njofton Klankosova.
Hapjen e Urës së Ibrit e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit dhe të qëndrueshmërisë së urës. Rezultatet përkatëse të këtyre raporteve të cilin e kemi ndarë dje edhe me komandantin e KFOR-it dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm që kemi. Qeveria dhe unë si kryeministër besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë, si dhe paqja e siguria në anën tjetër, janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë, shtetin, qytetarët dhe komunitetet”, tha Kurti.
“Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e Urës nuk është kundër askujt e aq më pak kundër partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, pra të hapura”, tha kreu i qeverisë