Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, në emisionin “PolitiKaos” në GazetënDemos, teksa foli për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 në vend, tha se tashmë është e dukshme që PDK-ja dhe VV-ja do të garojnë për vendin e parë.
Teksa foli për rivalitetin me Lëvizjen Vetëvendosje, Kastrati u shpreh se bërja e koalicionit me ta, për të, është e barabart me bërjen e koalicionit me Ivica Daçiqin, ministrin e Jashtëm të Serbisë, duke e paralelizuar politikën e tij dhe të Kurtit sa i përket raportit të tyre me UÇK-në.
Ndër tjera, deputeti i PDK-së shprehu besimin e plotë se kandidati i tyre për kryeministër të vendit, Bedri Hamza, do ta bëjë PDK-në përcaktuese në krijimin e një koalicioni, duke e mohuar kategorikisht një të tillë me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne, përmes kandidatit për kryeministër z. Hamza, tentojmë që të dalim sa më mirë, dhe që të jemi përcaktues në krijimin e koalicionit të ardhshëm, sepse ju e dini që koalicionet në Kosovë në një mënyrë ose në tjetrën janë të detyrueshme”
“Jo, koalicion me Vetëvendosjen kurrë në jetë, kurrë në jetë. Unë për vete flas, sepse nuk përfaqësoj mendimin as të Kryesisë, e as të kurrkujt tjetër. Ju i keni dëgjuar edhe zyrtarët e partisë sime. Unë për vete kurrë nuk e votoj një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje përderisa Albin Kurti është në krye të saj. Nuk bëhet fjalë këtu as për vija të kuqe, as të mavita, as të verdha, por thjesht nuk e votoj kurrë për arsye parimore, sepse hendeku mes nesh është shumë i madh dhe i patejkalueshëm”, tha ai në “PolitiKaos”.
Teksa i pyetur për takimin Kurti-Memli muaj më parë, Kastrati tha se ky takim ishte i organizuar me qëllim që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Po ashtu, Kastrati përmendi edhe deklaratën e Kurtit drejtuar ish-presidentit Hashim Thaçi “martoje djalin me çikën e Vuçiqit”.