Lajme

Demhasaj krahason Kurtin me Enver Hoxhën: Ka prishur marrëdhëniet me krejt botën

By GAZETA SCANNER 1

March 12, 2024

Analisti Arton Demhasaj, duke komentuar deklaratën e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për vendimin e Bankës Qendrore për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, tha se kryeministri, Albin Kurti, ka ardhur në një situatë për ta krahasuar me ish-udhëheqësin komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha.

Në kuadër të diskutimit për ardhjen e nesërme të Escobarit në Kosovë, Demhasaj vlerësoi që ardhja e tij kryesisht ka të bëjë me dinarin dhe Asociacionin, duke thënë se ai do të tentojë përsëri të gjejë zgjidhje për këto çështje.

“Ardhja e Escobarit ka të bëjë për dinarin dhe Asociacionin. Kështu që, për këto tema që janë vënë sanksione, natyrisht që Escobar vjen për të tentuar ende. Në lutjet e mëngjesit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur ftohen ish-kryeministra, e kur ftohen oponentë të tjerë politikë, e nuk ftohet as kryeministri, as presidentja, as figura të tjera të Qeverisë, kjo tregon se masat shtrënguese ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë janë marrë qysh moti. A di çfarë do të thotë deklarata e Escobarit sot, momentalisht kryeministri Kurti ka ardhur në një situatë çfare ka qenë ish-udhëheqësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, i cili ka prishur marrëdhëniet me krejt botën demokratike dhe jo demokratike të asaj kohe, kështu ka mbetur si vend i izoluar pa pasur marrëdhënie me vendet fqinje”, deklaroi Demhasaj në emisionin “Këndi i Debatit”.

Po ashtu, Demhasaj tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës problemin kryesor e kanë me Kurtin si individ.