Rreth 15 familje në Komunë e Mitrovicës Verore nuk kanë pasur mundësi të kthehen në shtëpitë e tyre për shkak të shkatërrimeve nga vërshimet që ndodhën në muajin janar. Edhe pas afro 5 muaj, familjet e prekura nga vërshimet thonë se nuk kanë marrë ndihmë nga institucionet e vendit. Ndërsa nga Komuna e Mitrovicës Veriore thonë se kanë dërguar kërkesë në Qeveri për ndihmë dhe po presin përgjigje.
Enët e gjërat e tjera shtëpiake i ka ende jashtë shtëpisë.
Halil Hakaj nga Mitrovica Veriore, që nga janari nuk është rehatuar. Kjo për shkak të vërshimeve që ndodhën muaj më parë.
Madje Hakaj edhe pas 5 muajve po e pastron baltën e krijuar nga përmbytja e shtëpisë.
Ai deri më tani ka jetuar me qira në një shtëpi. Por nga pamundësia për të qëndruar aty qe disa javë është kthyer në Lagjen e Boshnjakëve. Uji i cili mbulojë mbi 1 metër shtëpinë e tij la pasoja të shumta.
Dritaret e thyera dhe mobilet e shkatërruar janë disa prej dëmeve mijëra eurosh që iu bënë familjes Hakaj.
Por, për këtë ai nuk mori asnjë ndihmë nga shteti.
Derisa familje Hakaj është kthyer në shtëpinë e tyre në kushte jo të mira, më shumë se 10 familje tjera nuk e kanë pasur këtë mundësi.
Sipas kryesuesit të Kuvendit në këtë komunë, Nexhat Uglanini kërkesa për ndihmë është dërguar tek ekzekutivi dhe janë duke pritur një përgjigje.
Dëmet e shkaktuara nga vërshimet në këtë komunë janë mbi 800 mijë euro.
Tëvë 1 ka dërguar pyetje edhe në Qeveri por nuk kanë marrë përgjigje rreth kërkesës së komunës së Mitrovicës Veriore.