Botë

“Dello”: Marrëdhëniet ruso- serbe nuk janë ashtu siç paraqiten

Pas takimit me homologun e tij rus, Vlladimir Putin, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se Serbia llogarit në mbështetjen e Rusisë në të gjitha organizatat ndërkombëtare, sikundër që Rusia mund të llogaris në mbështetjen serbe.

Vuçiç u tha gazetarëve se Serbia nuk ka votuar pro asnjë akti ndërkombëtar që shkon kundër interesave ruse. Ai tha se njerëzit në Serbi e vlerësojnë Putinin më shumë nga sa kanë vlerësuar disa ish-udhëheqës rus, duke shtuar se Serbia nuk do të ishte bombarduar në vitin 1999 nëse Putini do të ishte në pushtet në atë kohë, një mantër e dëgjuar shpesh nga zyrtarët serb.

“Shqiptarët po përpiqen të fitojnë vetëm njohje, ndërsa Serbia asgjë”, tha ai.

Ndryshe, në një koment të gazetës sllovene “Dello”, duke iu referuar skandalit të shpërfaqur në video- incizimin derisa spiuni rus blenë informacione konfidenciale nga një nënkolonel i ushtrisë serbe, dhe pasojat në marrëdhëniet serbo- ruse, shkruan se ato nuk janë aq të sinqerta, siç tentohet të paraqiten në publik.

“Ekziston mosbesim në sinqeritetin e mbështetjes ruse, të cilën e pret pjesa dërmuese e publikut serb. Por, po ashtu, ekziston edhe mosbesimi i Moskës në lidhje me atë se sa i fuqishëm është qëndrimi serb mbi neutralitetin ushatarak dhe dyshimet se zyrtarët e lartë serb janë më të afërt me NATO-në se sa që duket në publik. Mbështetësit e një skenari të tillë mbështetën në angazhimin e deputetëve serb, pro- rus, që në kushtetutën serbe të futet edhe neutraliteti ushtarak në mënyrë që të parandalohet flirtimi i Beogradit me NATO-në. Në rast që zbulohet që skandali i spiunazhit është i organizuar në Beograd, kjo do të nënkuptonte fillimin e largimit të Serbisë nga Rusia.

“Dello” vlerëson se Putin ka sfera më të rëndësishme të interesit se sa Ballkani dhe bllokimi i NATO-së dhe se Rusia, pa shumë zhurmë, do të tërhiqej nga Ballkani nëse BE-ja dhe SHBA-të do t’i mundësonin legalizimin e aneksimit të Krimesë dhe juglindjes së Ukrainës.