Lajme

Delegacioni i rëndësishëm amerikan anulon vizitën për në Kosovë?

By GAZETA SCANNER 1

July 29, 2023

Vizita e paraparë për në fund të kësaj jave e ish-këshilltarit special në Departamentin e Shtetit Amerikan, tani Nënsekretar i Departamentit të Mbrojtjes – Derek Chollet – për të cilën para disa dite u raportua, është shtyrë për një kohë tjetër.

Arsyet shtyrjes së kësaj vizite nuk dihen.

Informacionet ishin se në Prishtinë Chollet nuk do të vinte vetëm, bashkë me të do të ishte dhe një nga udhëheqësit më të lartë (numri dy) të Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC).

Albanian Post merr vesh se vizita e top-delegacionit amerikan në Kosovë kishte vetëm një qëllim: Vlerësimin përfundimtar nëse qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti e sheh partner SHBA-në në procesin e normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë apo jo.

Po ashtu, burimi i AP-së bënë me dije se bashkësia ndërkombëtare do të marrë vendime, nëse është e nevojshme edhe të vështira, për rrugën përpara për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, pasi që siç thotë burimi “status quo-ja nuk do të tolerohet”, dhe se “ngatërrestarët do të ndëshkohen”.

Pra, përveç Chollet, i cili ka qenë më herët në Kosovë, do të ishte edhe një nga udhëheqësit më të lartë (numri dy) të Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC).

Si institucioni më i rëndësishëm i sigurisë në SHBA, NSC kryesohet nga vetë presidenti Biden.

Të pranishmit e rregullt janë Zëvendës-Presidenti, Sekretari i Shtetit, Sekretari i Thesarit, Sekretari i Mbrojtjes, Sekretari i Energjisë, Prokurori i Përgjithshëm, Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara. Administratori i Agjencisë së SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar, Shefi i Shtabit të Presidentit dhe Ndihmësi i Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare.

Kurse sa i përket Chollet, ai bashkë me Gabriel Escobar që, pos të tjerash, është i dërguar i posaçëm i SHBA-ve për dialogun, është një nga personat kryesor të SHBA-ve në dialogun e Kosovës me Serbinë dhe avokues i zbatimit të Marrëveshjes së arritur në Bruksel për Normalizim të raporteve, e dakorduar fillimisht në Bruksel, dhe e përforcuar me aneks në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Burime të njëjta të AP-së thonin se vizita të rëndësishme në Kosovë do të ketë edhe gjatë muajit gusht.

Gjatë kësaj kohe pritet të vijë në Kosovë edhe senatori amerikan, Chris Murphy.

Murphy ka vizituar Kosovën edhe një herë tjetër bashkë dhe me senatorë të tjerë, vizitë gjatë së cilës kishte lëvduar fillimisht qeverinë për punën në zhvillimin e vendit, por më pas kritikuar ashpër pas ndërhyrjes së pakoordinuar në Veri, kur Qeveria vendosi t’i dërgojë kryetarët e Komunave me policë në objektet komunale.

Këto vizita të rëndësishme vijnë në kuadër të një lëvizjeje të fuqishme diplomatike amerikane si një qasje e re në raport me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, e elaboruar edhe në një intervistë të ish-ministrit të Punëve të Jashtëm të Kosovës Petrit Selimi, për Albanian Post.

Aktualisht në SHBA-të kanë një brengë të vazhdueshme se si degradoi procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë dhe kanë një shqetësim të qartë dhe një adresim të fajit për kryeministrin Kurti.

Siç e thekson edhe Selimi në intervistë, ka dëshpërim me Kosovën të cilën e konsideronin partnere dhe ka një mungesë besimi që Serbia do të përmirësohet në sjellje të veta.

“Lëndimet e ushtarëve të NATO-s ishte një alarm, sepse fare lehtë ndonjë ushtar amerikan mund të vritej, dhe një incident i tillë dramatik do ta ndryshonte krejtësisht qasjen dhe pozitën e administratës Biden. Mendoj se edhe zgjedhjet presidenciale amerikane janë në vëmendje të shumë njerëzve dhe nëse dëshirojnë të krijojnë një fitore në Ballkan, kjo është periudha e fundit që mund ta bëjnë këtë gjë”, ka sqaruar Selimi në intervistë për AP këtë urgjencë të re të SHBA-ve dhe fluturimet diplomatike që priten.

“Potencialisht do të ketë edhe vizita tjera të nivelit të lartë në vjeshtë, nëse gjërat lëvizin në drejtim të pamohueshëm pozitiv. Ka edhe ndryshim konkret të personelit”.

Qasja e re në Ballkan, do të nënkuptojë edhe diplomatë e politikanë të tjerë në administratën e Biden.

Një nga këto ndryshime është edhe James O’Brien, i cili pas konfirmimit në Senat, vjen në nivel të zëvendësit të Sekretarit Antony Blinken, pra pozitë jashtëzakonisht e rëndësishme.

O’Brian aktualisht ka pozitën e koordinatorit të sanksioneve, dhe ishte personi kyç që sanksionoi ministrin serb Aleksandër Vulin.

Zëvendëse e O’Brian pritet të jetë ish-ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, një pozitë tjetër e fuqishme që po mbushet nga një diplomate e fuqishme që rishtazi shërbeu në Tiranë.

Këto lëvizje të personelit në Uashington dhe iniciativa e re për të ndihmuar procesin, shpresohet ta nxjerrin situatën nga ngërçi në të cilin ka mbetur tash e sa kohë.