Botë

Del sondazhi i ri nga “Reuters/Ipsos”, ngushtohet në shifër minimale epërsia e Harrisit

By GAZETA SCANNER 1

October 30, 2024

Epërsia e kandidates demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, ndaj rivalit të saj republikan, Donald Trump, është ngushtuar në vetëm 1 për qind – 44 me 43 për qind – sipas një sondazhi të publikuar të martën nga agjencia “Reuters” dhe “Ipsos”-i.

Sondazhi treditor, që u përmbyll të dielën, tregoi se gara praktikisht është e barabartë para zgjedhjeve të 5 nëntorit. Sondazhi kishte margjinë gabimi prej 3 për qind, raporton agjencia “Reuters”.

Edhe pse zonja Harris ka qenë në epërsi ndaj Trumpit në sondazhet e kryera nga agjencia “Reuters” dhe “Ipsos”-i në mesin e votuesve të regjistruar që nga hyrja e saj në garë në korrik, epërsia e saj është tkurrur në mënyrë të vazhdueshme nga fundi i shtatorit. Sipas një sondazhi të autorëve të njëjtë, zhvilluar nga 16 deri më 21 tetor, Harrisi kishte epërsi prej 2 për qind ndaj Trumpit.

Në sondazhin e ri, në të cilin morën pjesë 1.150 të rritur amerikanë në mbarë vendin, përfshirë 975 votues të regjistruar, Trumpi del me përparësi të konsiderueshme ndaj Harrisit për disa prej çështjeve që votuesit i konsiderojnë më urgjentet.

Kur u pyetën se cili prej kandidatëve ka qasje më të mirë ndaj ekonomisë, papunësisë dhe vendeve të punës, 47 për qind e pjesëmarrësve në sondazh e zgjodhën Trumpin, ndërsa vetëm 37 për qind nënpresidenten e tanishme.

Trupi ka pasur epërsi në mbështetje sa i përket qasjes ndaj ekonomisë gjatë tërë fushatës dhe 26 për qind e pjesëmarrësve në sondazhin e ri i përmendën vendet e punës dhe ekonominë si problemet më urgjente të vendit, në krahasim me 24 për qind që këtë epitet ia dhanë ekstremizmit politik, ndërsa 18 për qind i përmendën imigrantët si problemin më urgjent.

Epërsia më e madhe e Trumpit në aspektin e politikave mund të jetë te çështjet rreth imigrantëve, ku ai ka paraqitur propozime të ashpra, në të cilat përfshihen dëbimet masive të imigrantëve që ndodhen në vend në mënyrë të paligjshme. Rreth 48 për qind e pjesëmarrësve në sondazhin e ri thanë se qasja e Trumpit ndaj imigrantëve është më e mira, dukshëm më shumë se 33 për qind që e parapëlqyen qasjen e zonjës Harris për këtë çështje.

Sipas sondazhit të ri, në tkurrje është edhe epërsia e Harrisit rreth çështjes së ekstremizmit politik. Rreth 40 për qind e pjesëmarrësve në sondazh thanë se ajo ka qasje më të mirë ndaj trajtimit të ekstremizmit politik dhe rreziqeve ndaj demokracisë, në krahasim me 38 për qind që e zgjodhën Trumpin për këtë problem. Në sondazhin e periudhës 16 – 21 tetor, Harrisi kishte 7 për qind epërsi ndaj Trumpit për këtë çështje, ndërsa në sondazhin e ri vetëm 2 për qind./Nacionale/