Lajme

Deklarimet e krerëve shtetërorë ndaj punës së Prokurorisë Speciale shihen si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë

By GAZETA SCANNER 1

June 30, 2024

Janë bërë afër një vit që kur ka ndodhur sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës, ende nuk ka ngritur një aktakuzë.

Ndaj nuk kanë munguar edhe akuzat për mosefikasitet ndaj këtij institucioni nga kryeministri Albin Kurti e krerë tjerë shtetërorë.

Por, Flamur Kabashi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tregon se Prokuroria në këtë rast është në afatet e saj ligjore.

“Prokuroria Speciale është brenda afatit ligjor për përpilimin e aktakuzës. Është vetëm një prokuror me sa kemi informatë që është duke u marrë me rastin në fjalë dhe ndoshta duhet të shqyrtohet nga ana e Prokurorisë Speciale që t’i dilet në ndihmë prokurorit edhe me një tjetër në mënyrë që ndoshta të përmblidhet sa më mirë dhe të kemi një aktakuzë në dispozicion, por kujtojmë Prokuroria është brenda afateve të saja”, tha Kabashi.

Derisa thotë se deklarata të tilla nga udhëheqësit e pushtetit janë ndërhyrje direkte në sistemin e drejtësisë.

“Vetë Qeveria duhet ta kuptojë që nuk e përmirëson sistemin e drejtësisë përmes këtyre deklaratave por përkundrazi bën ndërhyrje në sistemin e drejtësisë përmes këtyre deklaratave duke kërkuar llogari se pse nuk ka aktakuzë për këtë individ apo këtë individ kur e dijmë që përveç palëve në procedurë që janë të autorizuara për ndërmarrjen e veprimeve për rastet konkrete të gjitha palët tjera nuk kanë autorizim dhe nuk e gëzojnë këtë të drejtë përveç gjykimit kur ndodhë para publikut”, thotë ai.

Edhe Anton Nrecaj nga instituti Clard thekson se deklarata të tilla janë të patolerueshme dhe nuk duhet të lejohen.

“Institucionet tona përfshirë edhe kryeministri edhe presidentja ta mbështesin gjithë këtë proces pa asnjë lloj presioni ta mbështesin në forma të ndryshme duke u bazuar mbi kompetencat që edhe Kushtetuta ua jep në mënyrë që të kemi një sistem më të fuqishëm të drejtësisë dhe më të besueshëm ata duhet të mbështesin reformat në sistemin e drejtësisë”, tha Nreaj.

Kryeministri Kurti ka akuzuar vazhdimisht Prokurorinë në vonesat edhe për hetimin e krimeve të luftës. /Tëvë1/